Drama “Dhelprat e vogla” këtë muaj vazhdon me shfaqjet e saj të fundit në teatrin Metropol në Tiranë. Vepra e shkruar nga Lilian Hellman dhe me regji nga Spiro Duni është një dramë që të fut në thellësitë e lakmisë, ambicies dhe marrëdhënieve të ndërlikuara familjare. Ngjarjet në dramën “Dhelprat vogla” vendosen në jugun e Amerikës në vitet 1900 dhe ndjekin Rexhina Hidens, një grua dinake që, së bashku me vëllezërit e saj, përpiqet të fitojë pasuri përmes një marrëveshjeje të dyshimtë biznesi. Por manipulimi dhe tradhtia kanë një çmim, duke copëtuar familjen në mënyrë të pashmangshme. “4 shfaqjet e fundit. Datat 13, 14, 15, 16 shkurt 2025”, thuhet në njoftimin e teatrit.
Trupa e aktorëve në shfaqje është Rozi Kostani, Sokol Angjeli, Albano Prodani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Xhulia Musagalliu, Roerd Toçe, Erin Kujofsa, Natasha Sela, Kastriot Ramollari. Përkthimi i veprës nga Artur Lena, as. regji: Klajdi Malellari, kompozitor Alfred Tase, skenograf Ilirjan Sadiku, kostumografi Frenci Gjerasi, lëvizje skenike Artan Ibershimi, as. skenograf Vladimir Caridha. Përpara se të sillte në skenë dramën “Dhelprat e vogla”, si regjisor Spiro Duni solli për publikun komedinë satirike “Horoskopi Babilonas”. Lillian Florence Hellman ishte një dramaturge, prozatore, memoiriste dhe skenariste amerikane e njohur për suksesin e saj në Broadway. Përgjatë krijimtarisë së saj është vlerësuar dhe me çmime të ndryshme. Nga krijimtaria e Hellman, këtë herë në skenën tonë vjen një prej veprave të saj të njohura “Dhelprat e vogla”.