Ministria e Arsimit dhe Sportit ka informuar sot përmes një njoftimi se aplikimet dhe konfirmimet për “Maturën Shtetërore 2025”, për formularët A1 do të jenë aktive nga 3-12 shkurt dhe për formularin A1Z do të jenë aktive nga data 11-12 shkurt.
Sipas MAS-it, formulari A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor ndërsa formularin A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë në Maturën Shtetërore. Hapi i parë është plotësimi i formularit A1/A1Z, në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet. Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania, dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti.
Më pas vazhdon në portalin e Maturës Shtetërore sipas një plani kalendar që pritet të publikohet nga MAS. Plotësimi i formularit A1Z bëhet në shkollat ekzistuese, ku kandidati ka bërë shkollën e mesme ose në shkollën ku e përcakton komisioni i Maturës Shtetërore. Procesi i plotësimit të formularit A1 dhe formularit A1Z nuk bëhet individualisht nga maturanti, por ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.
Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem dhe vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e formularit A1. Referuar kalendarit të ministrisë, gjithçka do të ketë mbaruar më 20 qershor kur të jenë verifikuar dhe konfirmuar në sistem rezultatet e të gjithë maturantëve. Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin, dhe printimin e formularit në shkollë.