Projekti fitues për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës u prezantua në një ceremoni në Prishtinë. Vlera e këtij projekti është 2 milionë e 450 mijë euro. Këtë ngjarje e hapi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ndër të tjera në fjalën e tij tha që është i gëzuar që kjo ndërtesë, pas pothuajse pesë dekadave, do t’i dhurojë Prishtinës një ikonë të arkitekturës bashkëkohore, që do t’i qëndroj pranë një prej perlave të arkitekturës moderne, Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. “Projekti fitues i teatrit do të projektohet nga arkitekti me famë botërore Biarke Ingels dhe studio e tij BIG, i cili sot ishte në Prishtinë dhe prezantoi këtë projekt para të pranishmëve”, shprehet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës në faqen e saj.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, teatri përmban sallën koncertale me mbi 1200 ulëse, sallën teatrale me 1000 ulëse, dhomën koncertale dhe dhomën teatrale, të dyja me nga 300 ulëse. “Ndërsa do të akomodojë parkingun nëntokësor me kapacitet me mbi 400 vendparkime pranë unazës së brendshme të Prishtinës, dhe do të jetë kalimi më i veçantë në mes të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe lagjes Arbëria”, bën me dije Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Në njoftim thuhet se vlera e projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës është 2 milionë e 450 mijë euro dhe do të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026. Ndërkohë që edhe në Tiranë, projekti i Teatrit të ri Kombëtar që po ndërtohet është gjithashtu nga Bjarke Ingels Group BIG.