Kampionati anglez po dhuron emocione të mëdha. Kur janë luajtur 2/3 e ndeshjeve të Premier League, duket se Mançester Siti duket jashtë titullit, kjo dhe për faktin se dje pësoi një humbje traumatizuese që e distancon keqas dhe poshtë ndaj rivalëve të tij në garën për titull. Në fakt, xhiroja e 24-të në Premierligë e solli derbin e madh të ishullit mes Arsenalit dhe Mançester Sitit. Në ndeshjen e luajtur në “Emirates Stadium”, Arsenali e arriti një fitore të madhe, me një rezultat të thellë, duke e shkatërruar skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola. “Topçinjtë” fituan 5-1, duke vazhduar presionin ndaj Liverpulit, prej vendit të dytë të tabelës. Serinë e golave në ndeshjen e sotme e hapi Martin Odegard në minutën e 2-të të takimit, me rezultat që u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, Siti u tregua më i rrezikshëm, teksa shënoi përmes Erling Haland për 1-1. 38 sekonda më vonë, epërsinë për Arsenalin e riktheu Thomas Parti. Për 3-1 shënoi talenti 18-vjeçar, Myles Ljuis-Skelly, pasi goditi me të djathtën e tij në anën e majtë të portierit Ortega. Pas një kundërsulmi të shpejt, golin e katërt dhe tashmë të fitores e shënoi Kai Havertz. Në sekondat e fundit të ndeshjes, ishte Ethan Nuaneri që me një gol të bukur u përkujdes për epilogun e takimit. Me këtë fitore, Arsenali shkon në kuotën e 50 pikëve, gjashtë më pak se Liverpuli në vendin e parë. Në anën tjetër, Siti ka 41 pikë në pozitën e katërt të tabelës. Por një distancë e tillë me kryesuesit tregon se skuadra e Guardiolës jo vetëm duket jashtë titullit, por e traumatizuar nga disfatat e fundit ajo mund të lëshojë terren e mund të pësojë tronditje dhe në garat e tjera. Përfshi duelet në Champions, ku siç dihet ka përplasje me Realin e Madridit. Ndërkohë, një tjetër surprizë ndodhi ditën e djeshme në Premier League. Pas tri fitoreve radhazi, Mançester Junajtid është befasuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-t të Premier Leagues. Junajtid të dielën pasdite në shtëpi është mposhtur nga Kristal Palace me rezultatin 2:0.
Dy golat e mysafirëve i shënoi Jean-Filipe Mateta në minutën e 64-t dhe 89-të. Për Junajtid kjo ishte disfata e 11-të këtë edicion në kampionatin anglez. Ka 29 pikë dhe renditet në pozitën e 13-të. Palace ka një pikë më shumë në vendin e 12-të. Po dje, në kampionatin anglez, Totenhemi fitoi në transfertë ndaj Brentfordit me rezultatin 2-0, duke marrë tri pikë me mjaft vlerë në rrugëtimin sezonal. Kampionatin e udhëheq Liverpuli me 56 pikë, ndjekur nga Arsenali me 50 pikë dhe në vend të tretë Notingham Forest me 47 pikë.