Lojtarët e Kombëtares tonë gëzojnë formë të mirë, përfshi dhe mbrojtësin Mario Mitaj që luan në Arabinë Saudite. Por ky i fundit ka pasur probleme me rregulloret dhe është ulur në stol. Ndërkohë, Amir Rrahmani besohet e do ta lerë Napolin në fund të sezonit, pasi ka marrë oferta të majme nga klube të tjerë. Në fakt, sikurse shkruajnë mediumet sportive italiane, Amir Rrahmani është gati ti japë lamtumirën Napolit në merkaton e verës. Ky lajm është raportuar nga gazetari i “Il Roma” Xhovani Skoto.
Sipas tij, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës ka marrë oferta nga disa klube dhe në verë është koha e duhur që të shitet nga napolitanët. Zëvendësuesi i mundshëm i 31-vjeçarit është mbrojtësi i Italisë, Pieto Komuzo. Ai është pothuajse lojtar i axurrëve pasi kanë arritur marrëveshjen me Fiorentinën për një huazim dy vjeçar me vlerë 5 milionë euro me detyrim blerje të përcaktuar në 25 milionë euro.
Rrahmani ka qenë pjesë e përfaqësueses kuqezi në eliminatoret e Europianit 2016, por trajneri Xhani de Biazi në atë kohë nuk e ftoi në Europian dhe ai e Rashica vendosën të braktisin kuqezinjtë në atë periudhë e iu bashkuan Kosovës. Një tjetër kuqezi që nuk e braktisi Kombëtaren ishte Berat Gjimshiti, sot ai është kapiten i përfaqësueses tonë.
Mitaj ulet në stol, shkak rregullorja
Referuar mediave, Mario Mitaj ishte në formë fantastike te ekipi arab i Al Itihad derisa u la jashtë fushe për shkak të rregullave në ligën arabe të futbollit. Në 10 ndeshjet e fundit, lojtari i Kombëtares u vlerësua me notën 7 e sipër. Por për fatin e tij të keq ai u la jashtë ekipit për shkak të rregullave të ligës së Arabisë Saudite. Referuar asaj që shkruan “Top Channel”, arsyeja ishte kthimi nga dëmtimi i lojtarëve të huaj dhe liga arabe nuk lejon që në skuadër të ketë më shumë se 8 lojtarë të huaj për ndeshje.
Edhe debutimi i Mitajt u vonua për shkak të këtij rregulli. Fati i buzëqeshi shqiptarit nga dëmtimet pasi në të kundërt do kishte mbetur për shumë kohë jashtë fushës. 8 lojtarët e huaj janë të pjesës sulmuese dhe vijnë kryesisht nga kampionate të forta si La Liga apo Premier League dhe nga shtete si Franca. Diaby që ka patur paraqitje mjaft të dobëta, u grumbullua nga trajneri francez Blanc për të mos ngelur i pakënaqur dhe si pasojë u përjashtua Mitaj. Tifozët e klubit arab reaguan ashpër pas përjashtimit të Mitaj nga ekip sepse Al Ittihad pësoi humbje në ndeshjen e parë pa talentin shqiptar në fushë. Por me sa duket ky nuk do jetë fundi i fatit të keq të Mitajt sepse ai do vazhdojë të mbetet jashtë fushave derisa një nga futbollistët e huaj të dëmtohet.
Al Ittihad është afër akordit me Barcelonën për një tjetër lojtar spanjoll që do të thotë një lojtar më tepër i huaj për ekipin arab. Tashmë klubi ka kërkuar bashkëpunimin me klubet e tjera arabe për të ndryshuar rregullin që po lë Mitajn në stol. Ata kërkojnë që ekipet të mund të kenë 8 lojtarë të huaj në fushë dhe 2 në stol si rezerva. Duhet thënë se për aq ndeshje sa ka luajtur, Mario Mitaj është treguar lojtar klasi, gjë që e kanë shprehur edhe vetë specialistët e ndryshëm të futbollit, përfshi dhe zërat në mediat arabe.