Alfred Cako, një nga teoricienët dhe konspiracionistët më të njohur, ka qenë gjithnjë një zë i fuqishëm në debatin për ngjarjet dhe kulisat që kanë shoqëruar historinë e politikës shqiptare pas rënies së komunizmit. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai rrëfen një histori të pazakontë dhe tërheqëse, duke zbuluar dosje të pasigurisë, intrigave dhe manipulimeve që lidhen me figura kyçe të politikës shqiptare si ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj dhe dy ish-bashkëpunëtorët e tij të Partisë Socialiste, të cilët, sipas Cakos, janë bërë viktima të një loje të madhe që përfshin shërbime sekrete të huaja.
Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Cako, teksa ndan informacione të thella dhe konspirative, shpjegon se si shërbimet e huaja kanë ndihmuar Arben Ahmetajn të arratiset nga Shqipëria dhe si dosjet që ai ka mbledhur mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve politike në vend. Ndërkohë përtej këtyre zbardhjeve të fshehta, teoricieni Cako ka lëshuar edhe kritika ndaj lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990 dhe ndikimit të saj në krijimin e një kapitalizmi të ri në Shqipëri. Si një njohës i thellë i dinamikave të brendshme të pushtetit, konspiracionisti Cako flet për ndërhyrjet dhe manipulimet që kanë shoqëruar liderët e lëvizjes, përfshirë figurat si Azem Hajdari dhe Sali Berisha, duke i hedhur dritë kësaj periudhe të rëndësishme për shqiptarët.
-Zoti Cako, këtë të shtunë u përkujtua 8 dhjetori i 1990 kur dhe nis lëvizja studentore për rrëzimin e sistemit komunist. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?
Sistemi me bazë dhe superstrukturë të ngjashme në gjithë Lindjen e Perdes së Hekurt në fund të viteve 1980, ishte në kolaps të përgjithshëm. Kështu që krerët komunistë të këtyre shteteve, e kishin kuptuar që e vetmja shpresë që të shpëtonin ishte ndryshimi i Sistemit. Brenda tyre kishte dhe konservatorë të linjës së ashpër por duke parë Gorbaçovin, edhe ata u tërhoqën. Komunistët shqiptarë, ashtu si dhe të tjerët sosh, atëhere menduan që të ishin ata drejtuesit e shtetit pluralisto-kapitalist që do të instalohej, duke marrë modelin e Katovicës. Dhe dihet që studentët naivë e të sinqertë u përdorën nga “pedagogët” Berisha, Pashko, Imami, Zogaj, Ruli, Nano, Rama & Co dhe u trysnuan e kërcënuan nga Sigurimi i Shtetit të lëshonin pozicionet e tyre.
-Çfarë mendimi keni për liderët e lëvizjes së dhjetorit, sidomos për Azem Hajdarin dhe Sali Berishën?
Kjo luftë zgjati deri me fundin e duelit Berisha-Hajdari në vitin 1998 ku Sigurimi ekzekutoi figurën kryesore dhe të fundit të studentëve naivë. Lëvizja e Studentëve nuk ishte e orkestruar, ajo ishte e dëshiruar nga Ramiz Alia, i cili ja u la fushën gjysëm të lirë, i futi në kurth me pedagogët që si ujku, e lyen këmbën me miell si në përrallën e ujkut dhe kecave. Këta u zgjodhën dhe u shfrytëzuan për të kontrolluar pluralizmin dhe për të krijuar kapitalizmin e ri ku komunistët do rruanin sovranitetin e tyre edhe në detin e madh të hapjes së vendit përballë Qeverisë Botërore. Këtë angazhim e tradhtoi (apo u dorëzua), Fatos Nano nga krahu i majtë duke ja dorëzuar PS Qeverisë Botërore që kishte zgjedhur dyshen Rama-Veliaj si kontrollorë dhe shkatërrues të sovranitetit kombëtar, ndërsa Sali Berisha nuk po e lëshon istikamin e krahut tjetër dhe nuk e tradhton premtimin ndaj Ramiz Alisë.
-Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe pati kontroll në një studio. Çfarë mund të tregojë ky veprim për hetimet që po zhvillohen për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij? Si e shikoni ndikimin e këtyre hetimeve në imazhin politik të Erion Veliajt, duke qenë se ky i fundit shihet se mund të jetë pasardhësi i Edi Ramës?
Ka një luftë të hapur – qysh kur doli në dritë çështja e vjedhjes masive me inceneratorët, – Rama-Veliaj-Ahmetaj. Në fillim dyshja Rama -Veliaj & SPAK u përpoqën t’ia hidhnin gjylen e korrupsionit në qafë Arben Ahmetajt por ky ju rrëshqiti nga dora me ndihmën e shërbimeve greke e gjermane të inteligjencës, e hapi lojën dhe tregoi që këtë aferë e kishte drejtuar dyshja Rama-Veliaj dhe informoi përsëri mbi ekzistencën e superaferës 5D.
Duke qenë se dikush duhej të përgjigjej për incerenatorët, Rama mbështeti hetimin e aferës 5D dhe të inceneratorëve. Dyshja Soros që është e ndarë në këtë çështje, ranë dakord të sakrifikojnë Veliajn, me sa duket, i cili po kërkon ta tërheqë me vete dhe po jep informata nëpër media kundër Ramës dhe vëllait të tij, Olsit, si i përfshirë në prodhimin dhe kontrabandën e kokainës.
Me sa duket, pavarësisht kush duket fituesi për momentin, të dy janë të humbur.
Historitë e tjera janë detaje teknike që i shërbejnë strategjisë së Qeverisë Botërore.
-A është Shqipëria gati të ketë një drejtësi të pavarur dhe të fuqishme që të mund të hetojë politikanët që deri më dje e konsideronin veten të paprekshëm?
Sot SPAK-u ka shumë pavarësi dhe është zgjatimi i Deep State-t botëror për Shqipërinë së bashku me Komisionin e OSBE-ODIHR që certifikon fituesin. Problemi më i madh i Shqipërisë është ri-rregullimi i Kushtetutës, -demokraci e drejtpërdrejtë mazhoritare + proporcionale, president të fuqishëm të zgjedhur nga populli ose me kompromisin e opozitës parlamentare (me 3/5 ose 93 vota) komisione zgjedhore të pavarura nga partitë politike. Fuqia e brendshme nuk mund të mbahet me truke ligjore avantazhuese të dy partive të mëdha historike. Nëse liderët e fuqishëm vijnë nga rregulla demokratike, respekti ndaj tyre do të shtohet.
Intervistoi: Rigels Seliman