“Le Horla/ Frikërat Moderne” bazuar në tregimin klasik të Guy de Maupassant në teatrin Metropol

0
70

Nga Julia Vrapi

“Frikërat moderne” premierë në skenën e teatrore. Vepra teatrore ishte mes projekteve fituese, që do të realizoheshin përmes “Fondit të Teatrit për të Rinj” këtë vit, që u bënë me dije më parë nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në skenën e Metropolit vepra e autorit Guy de Maupassant erdhi me regji nga Lindar Kaja. “Le Horla/Frikërat Moderne -Një shfaqje që sfidon kufijtë e arsyes dhe na përball me frikën nga e panjohura!”, thuhej më herët nga teatri Metropol për këtë shfaqje, ku në skenë aktor është Roerd Toçe, balerinë Sara Koçi dhe Luisa Dinellari. Bazuar në tregimin klasik të Guy de Maupassant, kjo vepër teatrale rrëfen historinë e një burri të respektuar dhe të qetë, i cili ndjen praninë misterioze të diçkaje që sfidon çdo logjikë dhe e trondit në thellësi të shpirtit. Ndërsa realiteti i tij thyhet, ai lufton me pyetjet që sfidojnë mendjen: a janë këto frikëra që burojnë nga brenda apo forca të fshehta përtej kontrollit të tij?

Publiku zhytet në një univers të tensionuar psikologjik, ku errësira e mendjes dhe e panjohura qëndrojnë në çdo hap. Sipas teatrit, kjo shfaqje është një udhëtim në hijet e njeriut dhe botës rreth tij. “Mos e humbisni këtë rrëfim që eksploron frikërat moderne dhe forcat që shtrihen përtej realitetit tonë”, thuhej rreth shfaqjes nga teatri Metropol. Asistentë regjisorë: Joana Omeraj, Xhino Musollari, koreograf Erdet Mirak. Skenograf dhe kostumograf Ibrahim Burgu, kompozitor Amri Hasanlliu, grafik dizajni Ibrahim Burgu. Guy de Maupassant (1850-1893) prozator i shquar francez, një ndër përfaqësuesit më në zë të natyralizmit, njohës i thellë i jetës së kryeqytetit e provincës së Francës së fundshekullit XIX. Njihet si mjeshtër i madh i prozës së shkurtër, është edhe autor romanesh të suksesshme.

Fondi dhe projektet

Pjesë të dramaturgjisë shqiptare si dhe asaj të huaj kanë ardhur këtë vit në skenën teatrore përmes projekteve fituese të “Fondit të Teatrit për të Rinj”. Nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” thuhej më herët se fondi për vitin 2024 do të shpërndahej për 11 projekte fituese. Teatri shprehej se “Fondi i Teatrit për të Rinj” nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit.

Projektet përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa teatrot e rretheve mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore. Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, ku kanë qenë plot 27 të tilla, prej të cilave janë zgjedhur nga bordi artistik i TKEKS 11 projekte fituese. Ashtu si dhe vitet e tjera, në përfundim të punës për të gjitha veprat, do të organizohet një javë e dedikuar festivalit të teatrit për të rinj që sërish do të jetë nën titullin “HAPAT”, duke e finalizuar me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse, nga një juri profesioniste.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here