Rikthimi i veprës operistike “Goca e Kaçanikut” pas 45 vitesh nga premiera e saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përfaqëson një moment artistik të veçantë. Vepra e kompozitorit Rauf Dhomi nga Opera e Kosovës u ngjit në skenë me regji nga Nikolin Gurakuqi. Meriton Ferizi drejtor i Operës së Kosovës thotë se “Goca e Kaçanikut” përfaqëson gjithçka që është shqiptare. Në intervistën për gazetën “SOT” Meriton Ferizi thotë se vepra në skenë erdhi si bashkim forcash edhe nga Shqipëria, Presheva, etj, dhe është bërë një vepër tamam kombëtare.
Drejtori Ferizi tregon dhe se si po funksion sot Opera e Kosovës, një institucion që u themelua vitet e fundit, ku sipas tij kanë mbështetjen e duhur për aktivitetin artistik. Opera “Goca e Kaçanikut” u inskenua për herë të parë në Tiranë më 1979. Kjo opera shpërfaq një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros, e sjellë në jetë me regjinë e Nikolin Gurakuqit. Opera e parë kosovare që u kompozua nga akademik Rauf Dhomi, me libret nga Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi mbrëmjen e 25 nëntorit nga Opera e Kosovës u shfaq në skenën e TKOB në Tiranë.
– Opera “Goca Kaçanikut” që trajton edhe temën e luftës për liri të shqiptarëve në Kosovë erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për ju, çfarë përfaqëson kjo vepër shqiptare shkruar nga kompozitori Rauf Dhomi?
Opera “Goca e Kaçanikut” për Kosovën ka qenë historike. Në vitin 1978 është shfaqur në formë koncertale për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pas një viti ka kaluar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku është shfaqur komplet e inskenuar. Kjo për ne është një pasaportë, një produksion i parë vendor dhe na bën krenarë. Vepra përpara se të vinte tani në Tiranë u shfaq më parë në Kosovë me bashkim forcash edhe nga Shqipëria, Presheva, etj, dhe është bërë një vepër tamam kombëtare. Besoj do vijojë tutje si produksion i paketuar tashmë në duar të sigurta të regjisorit Nikolin Gurakuqi dhe maestros Edon Ramadani dhe solistëve në nivel dhe energjisë së mirë që mbizotëron i tëri ekipi, baleti, teknikët, ndriçimi, etj. Janë 170 veta për këtë vepër që funksionojnë shumë mirë. Një vepër, që është pëlqyer shumë në Kosovë, ka kualitet dhe është 100 për qind kombëtare. Ne e kemi të freskët çlirimin e Kosovës, traditat tona, dashuria mes njerëzve, fuqia e gruas, e plakut, e popullit për liri dhe pavarësi për të jetuar të lirë dhe kudo që shkon e përcjell mesazhin e saj si vepër. Opera “Goca e Kaçanikut” është me traditat, me veshjet, etj, ndaj gjithçka që është shqiptare përfaqëson kjo vepër opera e parë kosovare. Mendojmë që ta vijojmë më tej, si në Kroaci, etj.
-Ju folët për rëndësinë që ka kjo vepër si opera e parë kosovare. Opera e Kosovës është themeluar vitet e fundit, si drejtor i saj, çfarë mund të na thoni mbi veprën që u ngjit në skenë si pjesë e programit artistik?
Ne kemi nis si institucion me operën “Traviata”, por rendi i erdhi kësaj vepre. Edhe si opera e parë, pasi duhet ditur që dhe opera e dytë e profesorit Rauf Dhomit është luajtur në vitin 2004 në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, por e para nuk arriti në atë kohë, sepse u shpërnda dhe Opera kaloi te Filarmonia e Kosovës. Tek ne në vitin 2021 u themelua Opera e Kosovës si institucion dhe e ka pasur rendin që të luhet opera e parë, siç është luajtur këtu “Mrika” e Prenk Jakovës.
-Ju përmendët themelimin si institucion të Operës së Kosovës që ka pak vite, si po funksionon me aktivitetin artistik?
Opera e Kosovës është në themelim e sipër dhe është me një administratë të vogël, pa staf, pa ekipin ose ekipin artistik teknik. Gjithë korin, orkestrën dhe gjithë pjesët e tjera të operës i ftojmë me projekte. Pra nuk janë të punësuar ende derisa Ministria e Financave ti hapë kodet buxhetore dhe të fillojë ti punësojë instrumentistët, koristët, etj, por të gjithë janë të angazhuar. Filarmonia, Baleti, Ansambli i Këngëve dhe Valleve janë të gjithë të konsoliduar se janë krijuar e themeluar pas luftës menjëherë. Opera është themeluar në vitin 2021. I kemi dërguar që duhet të hapen 13 vende për frymorë, harkorë, 20 koristë fillimisht për trupën artistike, etj, dhe për 3 vite e kanë paraparë 2025-2027 të përfundojë si proces i punësimit të rregullt, pastaj që ta bëjë bazën.
-Çfarë mendoni se mund të bëhet më shumë në bashkëpunimet kulturore mes dy institucioneve TKOB dhe Opera e Kosovës?
Unë si udhëheqës kam dëshirë që të marr makinën dhe të vij këtu të marrim rekuizita ose kostume apo çfarëdo që ka nevojë, shpatën ose një kapele që mungon atje, ose një këmishë, etj. Unë dua ta ndjej veten që jam i mirëseardhur dhe vij në shtëpinë e madhe, sepse baza jonë është TKOB dhe natyrshëm erdhëm dhe së pari këtu. Kemi shëtitur nëpër Europë, por me ansamble jo me një opera komplete të inskenuar me një numër kaq të madh artistësh dhe u arrit qëllimi edhe për festat, që të vijmë së pari në Tiranë dhe më pas të vazhdojmë rrugën diku tjetër.
-Jeni një institucion i themeluar në pak vite, por sa po mbështetet atje në jetën artistike Opera e Kosovës, si janë buxhetet për pjesën artistike?
Për fat të mirë nga kjo qeveri është themeluar Opera e Kosovës me kryeministrin Kurti dhe ministër Kulture Çekun. E themeluan para 3 vitesh dhe e kanë marrë si obligim si një fëmijë të vogël dhe kujdesen shumë për të. Çfarëdo kërkesash, që dërgojmë na plotësojnë me buxhet shtesë. Ndahet në fillim të vitit një buxhet që nuk mjafton për tërë vitin, por në vijim ne bëjmë kërkesë dhe të gjitha i nënshkruajnë dhe ia plotësojnë Operës së Kosovës. Po punohet për infrastrukturë, por dhe për trajtim të dinjitetshëm të artistëve, që të mos na ikin jashtë shtetit, por ta gjejnë veten në Kosovë.
-Për artin dhe kulturën shqiptare, sipas jush çfarë duhet bërë më shumë për zhvillimin e saj?
Për artin dhe kulturën shqiptare është që të mos i harrojmë ata që po korrin shumë suksese jashtë si Saimir Pirgu apo Ermonela Jaho, Inva Mula ose të tjerë artistë. Ne kemi Elbenita Kajtazin, Margona Qerkezin, etj. Do të kemi një koncert më 10 dhjetor me Saimir Pirgun në Prishtinë dhe me Elda Laron dirigjente. Nëse shohin ndonjë talent ti suportojnë, ndihmojnë. Të kemi në të ardhmen ato kuadro deficitare që i kemi të munguara, të jenë derë e shpresës për ne këta emra të mëdhenj që me mund kanë arritur atje dhe tani e kanë më të lehtë depërtimin tek njerëzit e duhur.
-Në tre vite si e keni parë Operën e Kosovës?
Ka qenë e vështirë që ta improvizosh një palestër sporti dhe të vësh një opera ose të bësh një koncert gala, me skenografi, etj. Ne ia kemi dalë me një vullnet dhe punë të paparë kolegjiale, duke dashur që nuk do të dorëzohemi sikur në vitin 2006 që është shuar opera pas themelimit në 2003 që kaloi në filarmoni. Tashmë nuk ka kthim prapa, por vetëm e presim objektin dhe kjo është e mira që kur të ndërtohet objekti na gjen të përgatitur me shumë përvojë, me shumë paraqitje koncerte brenda dhe jashtë vendit dhe e jetësojmë tamam objektin ashtu si duhet.
Intervistoi: Julia Vrapi
“Goca e Kaçanikut” në Kosovë
Opera “Goca e Kaçanikut” me regji nga Nikolin Gurakuqi përpara se të vinte këtë nëntor në skenën e TKOB u shfaq premierë në skenën e Kosovës, ku shënoi një sukses. Regjisori më herët ka shprehur se është një vepër me frymë të thellë kombëtare e patriotike, me një muzikë të bukur shqiptare. “U ndoq nga një numër rekord artdashësish në Prishtinë e Gjakovë. Në vepër trajtohet lufta e popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1910 – 1911 kundër portës së lartë, por edhe tradhtarëve të brendshëm e të jashtëm, virtytet më të lartë kombëtare për liri e mosnënshtrim karshi të huajit. Këtë luftë unë e kam lidhur edhe me aktualitetin e sotëm në Kosovë, duke i paraqitur turqit dhe serbët të bashkëpunojnë kundër popullit të Kaçanikut, që lufton heroikisht në mbrojtje të trojeve të veta”, shprehet Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh”.
Në rolin e Pafikës është sopranoja Adelina Paloja, Trimori-Ismet Vejseli tenor, plaku- Hektor Leka bas bariton, plaka- Besiana Mehmedi, Rusbashi- baritoni Harris Bajraktari, Fiqali-Hekuran Bllaca tenor, Denik Prizreni bariton, agjenti-Etri Nura bariton. Në këtë vepër bëhet fjalë për luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës. Këta dy ëndërrojnë për një jetë të lirë dhe të lumtur. Mirëpo tradhtari Rus Bashi i pengon, duke e akuzuar Trimorin për tradhti. Trimori burgoset, kurse Rus Bashi tenton ta rrëmbejë Pafikën. Në ndërkohë shokët e lirojnë Trimorin. Në momentin kur Rus Bashi e sulmon Pafikën, paraqitet Trimori, ndërsa Pafika arrin ta vrasë tradhtarin. Të gëzuar, të gjithë i këndojnë lirisë e dashurisë.