Këtë vit pensionistët do të marrin bonusin e fundivitit të premtuar nga qeveria Rama, pothuajse dyfishi i vitit të kaluar. Kryeministri Edi Rama bëri me dije këtë pasi një javë më parë dha lajmin e mirë për rritjen e bonusit vjetor deri në 150 euro. Ai tha se shpërndarja e bonusit do të nisë nga java e dytë e dhjetorit.
“Ne do japim nga buxheti i shtetit 100 milionë euro për pensionistët drejtpërdrejtë. Pensionistët që i kanë pensionet deri në 20 mijë lekë të reja do të marrin 150 euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë lekë të reja 100 euro. Të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen duke filluar nga java e dytë e dhjetorit”,-tha Rama gjatë një takimi në Bulqizë.