Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 35 vite nga realizimi i tij u shfaq në variantin e restauruar premierë. Filmi me regji nga Dhimitër Anagnosti është prodhim i vitit 1989 dhe në role janë aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare. Premiera e filmit të restauruar nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit mblodhi artistë të njohur në kinema Millennium në Tiranë. Në premierën e të hënës mungonte regjisori Dhimitër Anagnosti, por e pranishme ishte bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti.
Për aktoren “Kthimi i ushtrisë s vdekur” është ndër më të mirët që ka realizuar regjisori Dhimitër Anagnosti. “Kuptohet, për është mua është e vështirë sot, se është hera e parë që vij pa gjysmën time, por shpresoj që të bëhet mirë. Ju falenderoj pa masë për këtë film, që e quaj është ndër më të mirët e Anagnostit”, u shpreh aktorja. Mes artistëve të pranishëm në premierë ishin dhe aktori i njohur Ndriçim Xhepa, aktorja Marjeta Ljarja e Rajmonda Bulku, regjisori Melvan Shanaj, etj. Më herët AQSHF shprehej se me bashkëpunimin e laboratorit Augustus Color, ky projekt vinte me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të vendit si një homazh për njeriun; për njeriun që luftoi, atë që vuajti pasojat e luftës dhe për atë që ra duke mbrojtur kauzat e atdheut të tij.
Skenari i filmit është nga Dhimitër Anagnosti i bazuar mbi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Muzika në film mban emrin e kompozitorit Gjon Simoni. Operator Bardhyl Martiniani, piktor Kleo Nini, montazhi Mimoza Nano, zëri Spiro Konduri, kostumograf Durim Neziri. Filmi është prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, 1989. Në role janë aktorë Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari, Petraq Xhillari, Ilia Shyti, Liza Laska, Xhemil Tagani, Xhelal Tafaj, Niko Kanxheri, Justina Aliaj, etj. Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.