“Tinguj që sollën lirinë” në TKOB, muzika e filmave shqiptarë me tematikë luftën nacional-çlirimtare

0
5

Nga Julia Vrapi

Muzika e filmave shqiptarë me temën e luftës nacional-çlirimtare vjen në koncertin “Tinguj që sollën lirinë”. Orkestra, kori, solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe grupi vokal i Ansamblit Popullor, në koncertin që çel festimet e 80-vjetorit të çlirimit në TKOB. Me artistë të njohur të skenës sonë, ky koncert sjell kolonat zanore të filmave si “Lulëkuqet mbi mure”, “Pylli i lirisë”, “Dimri i fundit”, etj. TKOB shprehet se muzika e këtyre filmave nuk është vetëm trashëgimi kulturore.

“Tingujt që sollën lirinë e shumëkërkuar do të çelin festimet e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë në TKOBAP. Me artistë të mirënjohur të skenës sonë, ky 80-vjetor, simbol i guximit dhe krenarisë shqiptare, do të sjellë muzikën më të njohur të filmave të vjetër shqiptarë me tematikë luftën nacional-çlirimtare. Kjo muzikë nuk është vetëm një trashëgimi kulturore, por edhe një simbol i guximit dhe krenarisë shqiptare, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për koncertin, që do të zhvillohet për publikun mbrëmjen e datës 26 nëntor në skenën e tij. Dirigjent Dritan Lumshi, drejtuese e Korit të Zërave të Bardhë Sonila Baboçi; soliste në piano Etrita Ibrahimi. Solistë vokal në këtë koncert janë: Renisa Laçka, Malvina Likaj, Rajmond Kllogjeri, Gerald Murrja, Avni Miraka dhe Biorn Hoxha.

Programi i zgjedhur muzikor

Koncerti “Tingujt që sollën lirinë” me muzikën e filmave shqiptarë vjen dhe në kuadër të aktiviteteve të Javës Kulturore Kombëtare, që ka nisur në vendin tonë. Programi muzikor: Kujtim Laro- Kolona zanore e filmit “Lulëkuqet mbi mure”; Feim Ibrahimi- kolona zanore e filmit “Pylli i Lirisë”; Limos Dizdari -kënga e filmit “Njeriu me top” Kushtuar trimave; Aleksandër Lalo- kolazh i kolonave zanore të filmave “Tomka dhe shokët e tij”, “Vajzat me kordele të kuqe”. “Dimri i fundit”; Tish Daija -kënga e filmit “Tinguj lufte”, Ty flamur të duam shumë; Haig Zacharian-kolona zanore e filmit “Përtej Mureve të gurta” uvertura; Robert Radoja -kënga e filmit “Mëngjese lufte”; Kujtim Laro -kolona zanore e filmit “Në fillim të verës”; Feim Ibrahimi -kolona zanore e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”; Limos Dizdari -kolona zanore e filmit “Malet me blerim mbuluar”.

Pas këtij koncerti që do të jetë mbrëmjen e datës 26 nëntor, programi artistik në Tetarin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ketë dhe të tjerë koncerte, si Nëntori i Yjeve të Artë apo Oshtima e Maleve do të përkujtojnë 80-vjetorin e çlirimit. Ndërkohë që në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare dhe bashkëpunimeve kulturore të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, Opera e Kosovës sjell në TKOBAP më 25 nëntor premierën e saj historike, “Goca e Kaçanikut”, operën shqiptare të kompozuar nga maestro Rauf Dhomi. Ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me regji nga Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” dhe nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here