Nga Julia Vrapi
“Vallëzo me ne” është mbrëmja gala që sjell elegancën baletit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Artistët e njohur Adela dhe Anxhelo Muçollari janë ata që do të shpalosin përpara publikut në mbrëmjet e datave 16 dhe 17 nëntor mjeshtërinë dhe emocionin që vetëm baleti di të sjellë në skenë. Por këto mbrëmje nuk mungojnë dhe të tjerë artistë të ftuar, jo vetëm nga TKOB, por dhe nga Opera e Vjenës vjen artisti i njohur Eno Peçi. “Vallëzo me ne” vjen si një mbrëmje unike me magjinë dhe elegancën e baletit të kuruar me pasion e përkushtim nga Adela dhe Anxhelo Muçollari, dy yje të baletit shqiptar, motër e vëlla. Me trupën kombëtare të baletit, nën drejtimin e balet maestër Alisa Gjonit, dhe Shkollën Kombëtare të Baletit, drejtuar nga Blerina Arbana, do të ngjiten në skenë pjesë nga kryevepra të baletit klasik si: “Coppelia”; “La Sylphide”; “Marsh i Generatës së Re”; “Grand Walzer”.
Në njoftimin që ka ndarë në rrjete sociale balerina e njohur Adela Muçollari, por që e ka shpërndarë edhe TKOB thuhet se skenën do ta pasurojnë gjithashtu pjesë operistike dhe kontemporane, përfshirë: “Phantom of the Opera”; “Hush”; “STEP ADDITION”. “Të ftuar specialë janë Eno Peçi nga Opera e Vjenës; sopranoja Simona Karafili dhe tenori Denis Skura nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Në këtë mbrëmje gala, ku vallëzimi dhe muzika do të ndërthuren në harmoni perfekte, ju presim të përjetoni emocionet e një natë unike, që vjen si një përqafim artistik për të gjithë ju”, shprehet Muçollari në rrjete sociale. Këto dy shfaqje të “Vallëzo me ne” mbështeten nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Shkolla e Baletit, si dhe të tjerë donatorë.
Pjesë nga “La Sylphide” dhe “Coppelia”
“Vallëzo me ne” në dy mbrëmje vjen me një program të pasur muzikor, ku pjesë janë dhe kryeveprat e baletit “La Sylphide” dhe “Coppelia”, që janë vënë më parë në skenë e TKOB, por kanë dhe një sukses edhe në skenat e huaja. “Baleti “La Sylphide”, me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e August Bournonville, ka revolucionuar historinë e baletit. “La Sylphide” është një nga baletet e para romantike. Për herë të parë u performua në Paris, në vitin 1832. Koreografia origjinale u krijuar fillimisht nga Philippe Taglioni, por për publikun është më i njohur varianti koreografik i August Bournonville. Ky variant u shfaq për herë të parë në Kopenhagen në vitin 1836 dhe u bë themeli i baleteve tradicional romantike.
Baleti “La Sylphide” rrëfen historinë e dashurisë së James, një djaloshi fermer, që dashurohet me bukurinë e zanës Sylphide, por jo në realitet, vetëm në ëndërr. Ai i ikën realitetin për një botë ëndrrash, e cila për të është tragjike. I marrosur pas zanës, Sylphide, ai braktis në altar të fejuarën e tij, Effi-n. Por a mund të kapet një zanë? Muzikën për baletin “La Sylphide” Herman Severin Lovenskiold e kompozoi në moshën 21 vjeçare dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. “Coppelia” është baleti me dy akte me muzikë të Leo Delibes. Në qendër është dashuria e Franzit dhe Svenildes, e cila do të kërcënohet nga kukulla Coppelia. Në këtë histori janë të lidhur konflikti midis idealizmit dhe realizmit, artit dhe jetës.