Nga Julia Vrapi
Një mbrëmje dedikuar kabasë dhe iso-polifonisë sonë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti “Mjeshtrat e kabasë dhe Iso-polifonisë” vjen këtë mbrëmje si një udhëtim muzikor përmes traditës sonë të pasur popullore. Koncerti këtë mbrëmje sjell mjeshtrat e kabasë dhe iso-polifonisë shoqëruar nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Sokol Marsi drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve bën me dije se për këtë koncert këtë mbrëmje është një program i veçantë për publikun. ““Mjeshtrat e kabasë dhe iso-polifonisë” vjen si një koncert premierë. Është hera e parë që këta instrumentistë mblidhen për të performuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si gjinia e kabasë nga zonat e jugut është për herë të parë që vjen dhe ngjitet në një koncert të mirëfilltë, pasi mund të luhet një kaba, dy kaba, por jo një koncert dedikuar kabasë si gjini instrumentale”, shprehet drejtori Sokol Marsi, nën drejtimin artistik të të cilit janë zhvilluar koncerte të ndryshme me artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore (AKKVP), që janë mirëpritur nga publiku jo vetëm në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit tonë, por dhe jashtë kufijve.
Një program i zgjedhur muzikor
Mjeshtri i kabasë, Fatmir Lela do të sjellë për artdashësit në këtë koncert “Kabanë Sulovare me Lahutë”. Nga mjeshtrat e kabasë përveç Fatmir Lelës që vjen nga familja e njohur Lela, në koncertet janë edhe Aleks Xhelili i cili vjen nga Kolonja, Zhani Struga që vjen nga Korça, Nevruz Llengo nga Berati, Telando Feto nga Korça, Erlando Feto nga Korça me violinë në kaba. Si edhe Ervis Rrapaj nga Tepelena, Josif Shukallari që vjen nga Përmeti dhe Lorenc Çunaj nga po nga Tepelena.
Janë këta mjeshtra të kabasë që do të luajnë në këtë koncert dhjetë kabatë më të famshme që janë luajtur në Shqipëri nga të gjitha trevat e jugut. Gjithashtu në program këtë mbrëmje do të ketë një valle përshëndetëse nga grupi i valleve të Ansamblit Popullor, që quhet “Diell në fushë të Devollit”, tre këngë polifonike që do të interpretohen nga grupi polifonik i Ansamblit Popullor, etj.
I gjithë programi në këtë koncert këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nga fillimi deri në fund do të shoqërohet nga orkestra e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. AKKVP është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike.



































