Nga Julia Vrapi
“Giselle” me dramën që ka në qendër dashurinë në skenën e Spanjës nga trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një nga veprat më të rëndësishme të historisë së baletit klasik do të jetë edhe dy mbrëmje të tjera në Palma de Mallorca të Spanjës. Një vepër me dy akte me muzikë nga Adolphe Adam. Libreti është shkruar nga Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Baleti “Giselle” është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor të vitit 1841.
Por “Giselle” (Zhizel) është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi i njohur Agron Aliaj, në dhjetor të vitit 1988. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thotë se kjo vepër do të prezantojë talentin e balerinëve tanë në skenën e Spanjës. “Baleti “Giselle”, me historinë e mrekullueshme të dashurisë që triumfon edhe përtej vdekjes, do të çojë trupën e baletit të TKOB-së në Palma de Mallorca të Spanjës në datat 7, 8 dhe 10 nëntor! Ky balet i veçantë, që përcjell thellësinë e ndjenjave dhe bukurinë e baletit klasik do të prezantojë talentin e balerinëve tanë për publikun ndërkombëtar, duke na bërë të gjithëve ne krenar.
Ky bashkëpunim nënvizon angazhimin tonë për të promovuar artin dhe kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke vendosur TKOBAP-në në hartën kulturore botërore dhe duke ofruar një platformë të denjë për artistët tanë”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Vepra me muzikë nga Adolphe Adam është në skenën e Spanjës në koreografinë e Agron Aliajt, balet maestër Edi Blloshmi dhe Alisa Gjoni, si dhe kostumografia nga Ardi Asllani.
“Giselle” (Zhizel) që u vu në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi i njohur Agron Aliaj në dhjetor të vitit 1988 ka vijuar dhe vite të tjera në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës. Trupa jonë e baletit që këto ditë është në Spanjë përgjatë aktivitetit të saj ka realizuar kryevepra të baleteve botërore dhe shqiptare, si brenda dhe jashtë vendit dhe është vlerësuar nga publiku jonë dhe ai i huaj.
Zhizel ndërtuar mbi motivet e një legjende
Libreti i baletit “Giselle” (Zhizel) është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu.
Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Adolphe Adam (1806-1856) ishte një kompozitor francez, veprat e tij të rëndësishme përfshijnë baletet e tij “Giselle” dhe “Le corsaire”. “Giselle” (Zhizel) është historia e dashurisë, e cila ka prekur zemrat e publikut në mbarë botën që nga premiera e parë.