“Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, studiuesit: Gjuhët nuk kanë data lindjeje

0
57

Nga Julia Vrapi

Studiues shqiptarë dhe të huaj u mblodhën në konferencën “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia”. Konferenca që po mbahet në Tiranë vjen e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane, si dhe të Albanologjisë, në Mynih, ku të pranishëm ishin dhe autorët kryesorë të artikullit shkencor në revistën “Science”, ku flitet për origjinën e shqipes dhe shkëputjen e saj nga trungu indoeuropian. Gjuha shqipe nuk ka ende një datë lindjeje të konfirmuar, por ajo që dihet është se kjo gjuhë është shkëputur 6 mijë vjet më parë nga trungu indoevropian!

Ky ishte dhe thelbi i diskutimeve nga studiuesit gjatë kësaj konference që zhvilloi ditën e parë të punimeve në Tiranë. Studimi i publikuar në revistën “Science”, u bë shkas dhe i kësaj tryeze shkencore mbarëkombëtare, ku hidhet dritë mbi një bazë të re të dhënash gjuhësore për vendin që zë gjuha shqipe në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Sipas studiuesit Paul Heggarty, indoeuropianishtja datohet rreth 8100 vite më parë, si një vlerësim qëndror i kohës kur filloi të përhapet dhe të ndahet.

Ai shpjegon se, thelbësisht, kjo familje rezulton e ndarë shumë shpejt- qysh rreth 7000 vite më parë nga koha e sotme, në disa degë të hershme, ndër të cilat është edhe dega paraardhëse e shqipes moderne. “Këto data dhe struktura e pemës gjenealogjike nuk përputhen as me hipotezën e stepës dhe as me hipotezën e bujqësisë për origjinën e gjuhëve indoeuropiane. Në vend të kësaj, aspekte të ndara të secilës prej tyre kombinohen në një hipotezë të re ‘hibride’: Indoeuropianishtja nuk e ka origjinën në stepë, por në harkun verior të Gjysmëhënës Pjellore, dhe vetëm disa nga degët e saj kryesore në Europë kaluan përmes stepës, si një pikë kalimi dytësore; shqipja, dhe disa të tjera, ka gjasa që nuk kanë kaluar në këtë rrugë. Kjo kumtesë paraqet të gjitha aspektet e këtij kërkimi të gjerë ndërdisiplinor”, thotë studiuesi Heggarty.

Sipas tij, ajo shpjegon pse këto analiza të reja filogjenetike Bayesiane ishin të nevojshme, bazuar në bazën e tyre të re të të dhënave gjuhësore, përfshirë tre varietete të shqipes. “Ai rishikon gamën e analizave të përdorura, paraqet rezultatet dhe i krahason ato me të dhënat arkeologjike, si dhe me interpretimet konkurruese të gjetjeve revolucionare nga ADN-ja e lashtë. Natyrisht, gjuhët janë faza në pasardhje të vazhdueshme në kohë, nuk kanë një datë lindjeje, dhe për këtë arsye nuk ka një “gjuhë më të vjetër”.

Megjithatë, ajo që del nga të dhënat dhe rezultatet tona është se sa shumë është larguar shqipja nga degët e tjera të mbijetuara të indoevropianishtes, kështu që fokusi këtu është në atë se çfarë do të thotë dhe çfarë nuk do të thotë kjo”, shprehet ai. Ndërkohë që dhe prof. dr. Anila Omari në fjalën e saj ndër të tjera tha se gjuhët nuk kanë datë lindjeje. “Shqipja është më e vjetër se kaq. 6000 vjet është koha e shkëputjes së saj nga gjuhët indoeuropiane. Kjo shpjegon dhe faktin se nuk ka gjuhë të vjetra ose të reja, por ka një kronologji shkëputje”, vijoi ajo.

E vërteta shkencore ka nevojë të njihet e pohohet

Kreu i ASH akademik Skënder Gjinushi tha se kjo tryezë është një risi në zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Kjo sepse pasi sipas tij, një drejtim krejt i ri i kërkimit shkencor të gjuhësisë historike, me ndihmën e inteligjencës artificiale, bëhet strumbullari i këtij aktiviteti. Gjinushi tha se temat që i bashkërenditen referatit kryesor synojnë nxitjen e diskutimeve dhe debatit dhe përforcimin multidisplinor të kërkimi shkencor. “Popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre.

E vërteta shkencore ka nevojë të njihet e të pohohet. Shkenca, në dallim nga të tjerët, nuk rend të deklarojë, a ca më keq, të deformojë e vulgarizojë një hipotezë, por punon fort ta provojë atë”, tha Gjinushi ndër të tjera. Në vijim kreu i ASH tha se të dhënat krejtësisht të reja, të shërbyera nga profesor Paul Heggarty dhe kolegët e tij, duke ndjekur rrugë tjetër e lëndë tjetër, të çojnë tek e njëjta kronologji. “Me siguri këto studime do të thellohen e pasohen nga të tjerë dhe kështu drita që vjen nga mijëvjeçarët do të bëhet më e qartë”, tha ai.

Pjesë e kësaj tryeze, studiuesi Giulio Imberciadori pohon se shumica e studiuesve janë dakord se midis gjuhëve të tjera indoeuropiane, shqipja shfaq një lidhje më të afërt me greqishten e lashtë dhe armenishten (si dhe fringjishten) dhe për këtë arsye është pjesë e të ashtuquajturës “indoeuropianishte ballkanike”. Tryeza shkencore “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, për të cilën përgatitjet kanë nisur që prej afro dy vjetësh sot zhvillon ditën e dytë të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here