Nga Julia Vrapi
Filmi “I teti në bronx” është realizim i regjisorit Viktor Gjika në vitin 1970. Por roli i parë në kinematografi për aktorët e rinj Mevlan Shanaj dhe Yllka Mujo ishte pikërisht në filmin “I teti në bronx”, respektivisht rolet e Ibrahim Kovaçit dhe Almës. Për herë të parë në formë të digjitalizuar 4K filmi “I teti në bronx” do të shfaqet të enjten. Regjisor dhe aktor Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh” ka një aktivitet të vlerësuar në kinematografinë shqiptare. Si aktor me rolin kryesor tek ky film ndërsa tregon për punën ato vite ai thotë se Ibrahim Kovaçi është dhe personazhi, që i hapi atij perspektivën në ekran. Aktori tregon se për atë rol ishin 12 kandidatë, që bënë kinoprovë.
“Në vitin 1969 isha ende student në Institutin e Lartë të Arteve në vitin e fundit. Një ditë Ilia Terpini më bëri një foto aty para Institutit! Ende isha në përgatitjen e shfaqjes së diplomës! Në këtë kohë regjisori Viktor Gjika po përgatiste filmin “I teti në bronx” me skenar të Dritëro Agollit! Nisur nga sugjerimi i Ilia Terpinit si operator i filmit regjisori Viktor Gjika erdhi në shfaqjen e diplomës “Pushkët e Nënës Karar” të Bertold Brehtit!
Aty kisha rolin kryesor dhe bija në sy! Më ftuan për kinoprovë! Unë si i ri nuk besoja se do më besohej roli i komisarit i Ibrahim Kovaçit, pra roli kryesor i heroit! Bëra një kinoprovë pa ndonjë preokupim të madh! Kjo mënyra ime me sa duket i ngjiti regjisorit Gjika dhe nga 12 kandidatë u rikthye te unë disa herë!”, kujton Mevlan Shanaj aktor me rolin kryesor në film.
Xhirimet, që nisën në pranverë e vitit 1969
Xhirimet e filmit “I teti në bronx” nisën në pranverën e vitit 1969. Aktorët Sandër Prosi, Kadri Roshi dhe të tjerë artistë të njohur ishin në role tek “I teti në bronx”. Por aktori Mevlan Shanaj shprehet se me rolin kryesor, që iu besua nga regjisori Viktor Gjika atë kohë te ky film ai punoi me mjeshtrat e aktrimit. “Kur më caktuan rolin isha i befasuar pasi në atë moshë do punoja me mjeshtrat e aktrimit! Isha me fat kur i thonë. Kisha partnerë: Sandër Prosin, Pandi Raidhin, Kadri Roshin, Piro Manin, Mihal Stefën, Bexhet Nelkun, Vangjush Furxhi?! Pra në filmin e parë në atë moshë të jesh me gjigandët e aktrimit mbi 6 muaj! Ibrahim Kovaçi është personazhi që më hapi perspektivën në ekran!
Kjo ishte padyshim një nga “dhuratat më të bukura” të jetës sime! Nga një njeri i panjohur arrita të bëhesha tepër i dashur për publikun , që edhe sot ma përmendin! Një mirënjohje, të cilën e ruaj edhe sot për kineastin më të spikatur të ekranit. Viktor Gjika ashtu si me mua bëri të pavdekshëm Rikard Ljarja te Deda( Rrugë të bardha) Bujar Lako( gjeneral gramafoni) Timo Flloko( Mato Gruda)”, thotë Mevlan Shanaj aktor në film. Skenari i filmit xhirimet e të cilit nisën në pranverën e vitit 1969 është nga Dritëro Agolli, Viktor Gjika, operator Ilia Terpini dhe muzika Kujtim Laro, producent: Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Ngjarjet në film
Në përvjetorin e vdekjes së komisarit Ibrahim Kovaçi, shtatë nga shokët e tij të luftës, mësuesi, Arifi, Alma, dr. Borova, Andoni, Rustemi dhe Xhemali, shoqërojnë bustin e komisarit për në fshatin e tij të lindjes, ku do t’i dedikohet një ceremoni përkujtimore. Gjatë rrugës, secili nga ata sjell në mendje ngjarje të lidhura me jetën dhe luftën e Ibrahimit dhe konfrontimet me antogonistin Sali Protopapa. Aktorë në film janë Mevlan Shanaj, Bexhet Nelku, Vangjush Furxhi, Yllka Mujo, Sandër Prosi, Ndoc Cefa, Petrika Riza, Robert Ndrenika, Piro Mani, Kadri Roshi, Krisanthi Kotmilo, Vangjel Grabocka, Qerim Mata, Mihal Stefa, Meropi Xhoja, Dhimitër Trajçe, Roland Piperi, Bujar Kapexhiu, Pandi Raidhi, Elma Gjini, Jani Riza, Albert Verria, Ilirjana Kamani. Viktor Gjika (1937 – 2009), “Nderi i Kombit” la pas kryevepra të trashëgimisë sonë filmike.
Një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe të shquar të filmit shqiptar, ai gjatë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave më 31 tetor do të shfaqet filmi “I teti në bronz”, por ky realizim i regjisorit Viktor Gjika në vitin 1970, ekranizohet falë bashkëpunimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.