Telashe për Liri Berishën, zhduket lista e donatorëve të fondacionit

0
16

Në dosjen voluminoze prej 500 faqesh të përgatitur nga SPAK mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, përveç katër të pandehurve kryesorë, në krye me Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, përmenden edhe emra të tjerë të cilët po hetohen dhe në fund Prokuroria e Posaçme mund të ngrejë akuza për ta. SPAK ka futur në rrethin e kuq bashkëshorten e Sali Berishës, Liri Berisha, ose më konkretisht ndaj fondacionit që ajo ka themeluar, “Fëmijët Shqiptarë”. Ndër të tjera, hetimi ka prekur edhe fondet e investuara për blerjen e një vile të Fondacionit në zonën e ish-liqenit të Farkës e cila përdoret si seli e biznesit.

Paratë drejt fondacionit

Vetëm në drejtim të fondacionit të Liri Berishës Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë derdhur në vitet 2010-2022, 8.6 mln lekë të reja, 24 mijë euro dhe 8200 dollarë. SPAK thotë se pagesat janë bërë nga çifti Jamarbër dhe Argita Malltezi, të cilët i koncepton se ‘llogaria bankare’ e Berishës, i cili kujdesej që të ruante imazhin si i ndershëm, ndërkohë që paratë i mbante e bija me dhëndrin. “Me qëllim ruajtjen e imazhit te nje politikani qe nuk është pasuruar asnjëherë, shtetasi Sali Berisha, nuk do te rriste formalisht pasurinë e tij, dhe ky përfitim do et kalonte tek shtetasi Jamarber Maltezi, i martuar dhe si me sipërcituar, ne bashkësi ligjore, me shtetasen Argita Maltezi, vajzën e shtetasit Sali Berisha. Siç dhe  rezulton nga hetimi, aksesi ne pasuritë e shtetasve Maltezi, është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjesht shfrytëzimi i pasurive të tyre për akomodim por edhe përdorimi i shumave monetare, në vlera që, pasur parasysh nivelin ekonomik et një politikani shqiptar, mbështetur vetëm në pagën e tij, nuk justifikohen”, thuhet në dosje.

Zhduket lista e donatorëve

Dyshohet se fondacioni i Liri Berishës Fëmijët Shqiptarë është përdorur nga Sali Berisha edhe për të mbledhur tarifat e korrupsionit për disa biznesmenë dhe biznese të mëdha, që kanë marrë para dhe koncensione publike, gjatë pushtetit të Berishës, por edhe gjatë qeverisjes socialiste. Kjo listë me donatorët e fondacionit rezulton e zhdukur nga faqja zyrtare e fondacionit pasi SPAK përfshiu në hetime këtë organizatë në kuadër të hetimit të korrupsionit të familjes Berisha.

Debatet e hershme për fondacionin

Në vitin 2012, Opozita dhe fondacioni i bashkëshortes së kryeministrit Berisha në atë kohë janë përplasur pas mbrëmjes gala që u mbajt në Tiranë, kur fondacioni mblodhi biznesmenë shqiptarë, të cilët ndër të tjera u angazhuan në një ankand të improvizuar për të blerë piktura të ofruara nga fondacioni. Çmimet e shitjes së pikturave variuan nga 10 në 100 mijë euro, megjithëse çmimet fillestare ishin nga 500 apo 1 mijë euro deri në 5 mijë. Gjithsej janë mbledhur në pak orë më shumë se gjysëm milioni euro (544 mije).

Fondacioni e justifikoi aktivitetin duke publikuar listën e pikturave që janë shitur duke shtuar se të gjitha paratë do përdoren për fëmijët autikë dhe se veprat janë blerë në përputhje me ligjin.  “Blerësit e pikturave janë kompani dhe individë bujarë, që duan të përmbushin misionin social të bizneseve të tyre,”- shkruhej në deklaratën e fondacionit. Por opozita e asaj kohe, Partia Socialiste, kishte tërësisht tjetër këndvështrim tjetër dhe kërkoi që veç listës së pikturave të shitura dhe çmimeve, të bëhen publikë edhe emrat e blerësve.

(Çmimi fillestar është çmimi me të cilin i ka blerë fondacioni)

  1. “Peizazh” Çmim fillestar 500 Euro – çmim shitje 50 000 Euro
  2. “Natyrë e qetë”  Çmim fillestar 5000 Euro – çmim shitje 100 000 Euro
  3. “Peizazh” Çmim fillestar 5.500 Euro – çmim shitje 100 000 Euro
  4. “Legjenda” Çmim fillestar 4.000 Euro –– çmim shitje 70 000 Euro
  5. “Struktura e jetës” Çmim fillestar 2.200 Euro – çmim shitje 53 000 Euro
  6. “Gruaja e peshkatarit” Çmim fillestar 11.000 Euro – çmim shitje 55 000 Euro

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here