Baleti “Bukuroshja e Fjetur” me muzikën e Çajkovskit sjell në skenën tonë edhe balerinët e Teatrit të Varnës

0
24

Nga Julia Vrapi

Baleti klasik “Bukuroshja e Fjetur” me muzikën e Çajkovksit do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Baleti vjen në skenën tonë si një bashkëpunim mes TKOB-së dhe Teatrit të Varnës Bullgari. Përralla magjike e “Bukuroshes së Fjetur” do të rrëfehet përmes siluetave në TKOB. Baleti klasik “Bukuroshja e Fjetur” na rikthen në botën e përrallave, aty ku dashuria dhe besimi triumfojnë mbi të keqen. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thotë se me këtë shfaqje të pranishmit do të përjetojnë një botë të magjishme. “Me muzikën e pavdekshme të Tchaikovskit dhe një koreografi mahnitëse, kjo shfaqje, e cila sjell në skenën shqiptare balerinët e Teatrit të Varnës, ju fton të përjetoni një botë të magjishme plot princa, princesha dhe magjistarë! Bashkëpunimi me Teatrin e Varnës, një risi e frytshme e kalendarit artistik 2023, vazhdon të përqafohet edhe gjatë vitit 2024, duke sjellë shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) për baletin që do të jetë në skenë më 13 tetor ora 20:00 në mbrëmje. Historia flet për princeshë Aurorën, e cila është e mallkuar të shpojë gishtin në një makinë tjerrëse dhe të flejë për 100 vjet.

Kjo zgjat derisa të zgjohet nga puthja e një princi. Ata martohen në fund të baletit dhe me fluturime, numra të bukur muzikorë. Lufta e përjetshme midis së mirës dhe së keqes, përralla klasike e baletit “Bukuroshja e fjetur” nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky ka kënaqur audiencën në skenat më të mëdha në botë. Fillimisht i performuar në vitin 1890 në Shën Petërburg, Rusi dhe bazuar në përrallën e Charles Perraults “Bukuroshja e fjetur në pyll”. Pjetër Iljiç Çajkovskij (7 Maj 1840 -6 Nëntor 1893) ishte një kompozitor i madh rus i erës romantike si edhe dirigjent dhe pedagog.

Bashkëpunimi mes dy teatrove

Në nëntor të vitit 2022 drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor Abigeila Voshtina, mirëpriti drejtoreshën e Përgjithshme të Qendrës së Produksionit të Teatrit dhe Muzikës të Varnës së Bullgarisë, znj. Daniela Dimova për të sjellë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, shfaqjen unike “Aida” të Giuseppe Verdi-it, me kostumografi, skenografi dhe regji të kolosit operistik, Gian Franco Zeffirelli. “Nisi kështu një bashkëpunim afatgjatë për të ndërkombëtarizuar vlerat tona artistike shqiptare”, shprehej drejtoresha Voshtina më parë. Në vijim të bashkëpunimeve, asistent-regjisorja e operës “Aida”, Ada Gurra shkoi në Varna për të përgatitur dy kaste artistësh, të cilët interpretuan tingujt Verdian, me regji, skenografi dhe kostumografi të të madhit Franco Zeffirelli. Opera e cila në Shqipëri u mirëprit nga publiku vijoi edhe në Bullgari, ku pjesë e saj ishin dhe solistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here