Tirana përmbys Skënderbeun dhe gjen fitoren e parë pas 7 javësh kampionat, Elbasani thyen Bylisin në transfertë

0
33

Adriatik BALLA

Java e 7-të e Kategorisë Superiore u mbyll ditën e djeshme me dy takimet e fundit, të saj, ku ra në sy fitorja në transfertë e Elbasanit përballë Bylisit dhe ngjitja e elbasanasve në zonën e top-3 më të mirëve në renditje, ndërsa në darkë, kryendeshja Tirana-Skënderbeu dhuroi emocione dhe padyshim edhe surpriza minutë pas minute. Në përfundim të kësaj jave mund të thuhet se Partizani, Elbasani dhe Dinamo janë skuadrat që patën ecurinë më të mirë, kurse Vllaznia dhe Egnatia ngecën në vend, duke mos gjetur shkëputjen e dëshiruar. Gjithsesi, shkodranët, për shkak të ecurisë në javët e para, mbajnë kreun e renditjes me 13 pikë, ndjekur nga Elbasani dhe Partizani me nga 12 pikë secila. Padyshim që pas kësaj jave gara bëhet interesante për kreun, por bëhet e ndërlikuar në fundin e saj, ku vetëm Laçi gjendet në fund dhe në pozita krize e të rënda, kurse skuadrat e tjera lëvizin sa poshtë lart pa dhënë ndonjë përshtypje se rrezikojnë të bien në fund të sezonit.

Tirana përmbys Skënderbeun në pjesën e dytë

Skënderbeu luajti në “Air Albania” një pjesë të parë të bukur e rezultateve përballë Tiranës. Ermir Rashica shënoi me penallti në minutën e 38-të dhe ky gol u duk se do ta vinte në vështirësi skuadrën bardheblu. Por në pjesën e dytë Tirana do të reagonte si duhet dhe do të shënonte shpejt dy gola për ta përmbysur ndeshjen. Autori i të dy golave ishte Prengaj. Ai shënoi fillimisht renë minutën e 46-të, e më pas përmbysi skuadrën korçare në minutën e 72-të. Të dy golat e tij u shënuan pas depërtimeve që ai vetë bëri nga e majta dhe goditjeve nga larg por të sakta në kuadrat. Deri në fund Skënderbeu u përpoq ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes, por nuk ia doli. Madje Tirana mund të kishte shënuar më shumë nëse Gjumsi e ndonjë tjetër do të kishin patur saktësi para portës në minutat e fundit. Gjithsesi, kjo ndeshje mbyllet me fitoren e Tiranës 2-1. Ishte trepik2ëshi i parë për bardheblutë në këtë kampionat. U desh të luheshin shtatë javë garë që Tirana të siguronte fitoren e parë dhe kjo fitore vjen si shpërblim për trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili i largohet për momentin kritikës dhe do të kërkojë që të përmirësojë më tej lojën dhe rezultatet e grupit. për momentin Tirana ngjitet në vend të shtatë me 9 pikë, kurse Skënderbeu me 7 pikë bie në vend të tetë

Elbasani shumë i fortë për Bylisin, fitorja e ngjit në grupin e kreut

Elbasani është kthyer mes ekipeve pretendente në Superiore, teksa ka mundur në transfertë skuadrën e Bylisit me rezultatin 1-0. Në ndeshjen ku Nevil Dede debutonte në pankinën e skuadrës vendase, diferencën e ka bërë goli i Lleshit në pjesën e dytë, pak minuta pasi sulmuesi ishte aktivizuar në fushën e lojës. Dy skuadrat dhuruan një ndeshje me ritëm të lartë, sidomos në pjesën e parë, por gjuajtja me kokë e sulmuesit të verdhebluve ishte ajo që vulosi fatin e kësaj sfide. Kështu, Elbasani e sheh veten vetëm 1 pikë pas Vllaznisë kryesuese, ndërsa ballshiotët mbeten në zonën e ftohtë të klasifikimit, si kandidatë për rënien nga kategoria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here