Kongresi i SHBA merr nën hetim Trump dhe dhëndrin për investimet në Serbi dhe Shqipëri, Gjuriç i gatshëm të…

0
34

Elmas Bogdani

Kongresi amerikan nisi një hetim ndaj kompanisë Affinity Partners në pronësi të Jared Kushner dhe Ivanka Trump, vajza e kandidatit për president Donald Trump-it, të cilët do të kryejnë investime direkte në Shqipëri me rrjetin e hotelerisë në ishullin e Sazanit dhe ndërtimin e disa ndërtesave në shtetin fqinj të Serbisë. Përveç debatit që ka ngjallur si investim në Shqipëri, në Serbi ka patur reagime dhe protesta. Kushner, i cili është zhvillues i pasurive të patundshme, ka rënë dakord me qeverinë serbe për të ndërtuar një seri ndërtesash shumë të larta në vendin ku gjenden rrënojat e selisë së vjetër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, e cila u bombardua nga NATO gjatë një operacioni ushtarak që synonte t’i jepte fund spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1999. Mirëpo, dyshimet për shkelje dhe pazare, ka bërë që Komiteti i Financave i Senatit të nisë një hetim mbi firmën e kapitalit dhe investimeve Affinity Partners, e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin dhe ish-këshilltarin e Donald Trump. Dukej se qeveria serbe nuk do ta mirëpriste një hetim të tillë, por Amerika është Amerikë dhe një deklaratë e papritur ka ardhur nga kreu i diplomacisë serbe.

“Dorëzimi” i Serbisë

“Marko Gjuriç tha në fundjavë se institucionet serbe do të bashkëpunojnë me institucionet amerikane nëse ka një hetim mbi biznesin e kompanisë së dhëndrit të Trump, Jared Kushner, e cila do të investojë në kompleksin e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd”, njoftoi Zëri i Amerikës (VOA). Gjuriç iu përgjigj negativisht pyetjes nëse, gjatë kohës sa ishte ambasador i Serbisë në Uashington, kishte njohuri për hetimin e kryer nga Komiteti i Financave i Senatit të Kongresit Amerikan për biznesin e kompanisë së Kushner. Gjuriç pretendon se askush nuk e ka diskutuar këtë me të, duke këmbëngulur se ai nuk ndërhyn “në punën e organeve të drejtësisë, as institucioneve serbe, e lëre më atyre amerikane”. Ai shtoi se, “nëse dhe kur ka pyetje për këtë temë, të gjitha institucionet serbe do të jenë në dispozicion të amerikanëve” dhe se “Serbia gjithmonë do të ndihmojë në kryerjen e hetimeve”.

Hetimi

Zëri i Amerikës kujton se në një letër drejtuar kompanisë së Kushner, senatori Ron Ëyden kërkoi informacion shtesë në lidhje me marrëdhëniet e biznesit me investitorët e huaj, përfshirë qeveritë e vendeve të tjera që i paguajnë kompanisë, siç thuhet, “qindra miliona dollarë” në tarifat për shërbimet e konsultimit. Pas të gjithave qëndron shqetësimi i Komitetit se Affinity po funksionon si një skemë kompensimi, e krijuar pjesërisht për të anashkaluar kërkesat federale të zbulimit të transaksioneve dhe se mund të ketë konflikte interesi. Senatori Ëyden kërkoi që kompania e dhëndrit të Trump të jepte informacion mbi investimet në Serbi dhe ofroi një listë të gjithçkaje për të cilën Komiteti i Financave është i interesuar, kryesisht një listë të të gjithë individëve dhe subjekteve që janë partnerë të asaj kompanie, një listë të të gjitha vendndodhjeve në Serbi që po shqyrton për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, dhe një përshkrim të planeve të zhvillimit për çdo vend individualisht.

“Pazaret” me Vuçiçin

Komiteti është gjithashtu i interesuar se sa në dollarë planifikon të investojë “Affinity” në secilin projekt serb të patundshmërive dhe sa investon secili nga partnerët e kompanisë në secilin projekt. Ëyden, sipas Zërit të Amerikës, po kërkon gjithashtu një përshkrim të detajuar të kushteve të të gjitha kontratave ndërmjet kompanisë “Affinity” dhe qeverisë serbe për zhvillimin e pasurive të paluajtshme në Serbi. Presidenti serb u takua me Jared Kushner në Beograd në mes të qershorit dhe u mburr në Instagramin e tij se ishte një “shkëmbim frymëzues i ideve” dhe se ai i tregoi të ftuarit Beogradin dhe “përshkroi disa nga planet për rritjen e tij edhe më të shpejtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here