“Unë, Fojerbahu” një vepër e viti 1986 nga Tankred Dorst vjen premierë në skenë

0
46

“Unë, Fojerbahu” vepër e vitit 1986 do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra e autorit të famshëm gjerman Tankred Dorst me regji nga Stefan Çapliku do të vijë në skenë me interpretimin e tre aktorëve. Ervin Bejleri, Endri Çela dhe Valentina Myteveli janë me rolet në veprën që ngjitet në skenë në datat 19 shtator dhe vijon dhe në data 20, 21 dhe 22 këtë muaj për publikun te TKES tek “ArTurbina”. Premiera është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me qendrën “Goethe” (Gëte) në Tiranë. Në veprën e vitit 1986 të autorit Tankred Dorst, ngjarjet në dramë nisin kur regjisori i një teatri ka organizuar një audicion, në të cilën paraqitet edhe Feuerbach, një aktor i dikurshëm, i cili prej kohësh nuk është i pranishëm në skenë.

Po kësaj radhe atij i duhet të flasë me një asistent të ri, që nuk ka dëgjuar kurrë për një Feuerbach. Kaq mjafton që të plasë një luftë e egër. Vepra është me skenografi nga Beqo Nanaj, koreografia Valentina Myteveli dhe përktheu Ana Kove. Tankred Dorst (19 dhjetor 1925 – 1 qershor 2017) ishte një dramaturg dhe tregimtar gjerman. Dorst jetoi dhe punoi në Mynih. Drama e tij monumentale Merlin oder das ëuste Land, e cila u shfaq premierë në 1981 në Dyseldorf, është krahasuar me Faustin e Gëtes. Në homazhin e tij për Tankred Dorst me rastin e dhënies së çmimit Georg Büchner në vitin 1990, Georg Hensel vuri në dukje se dramat e Dorstit kanë të gjitha një lidhje të drejtpërdrejtë me të tashmen.

Vepra si pjesë e kalendarit artistik

Kjo vepër që do të vijë në skenë këtë shtator më pas do t’ia lërë radhën dhe të tjera veprave që janë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental te “ArTurbina” në Tiranë. Këto ditë në këtë teatër po punohet për një tjetër vepër teatrore që do të vijë në skenë, por që këtë herë Çapaliku është si autor dhe regjisor Giacomo Pedini. Ky projekt do të realizohet si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Gjatë sezonit teatror që ka nisur do të ketë jo vetëm premiera të TKES, por edhe bashkëprodhime teatrore. Stefan Çapaliku është shkrimtar, studiues dhe dramaturg i njohur. Veprat e tij janë shfaqur në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar me çmime.

Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, etj. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities” (Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg u nderua me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Krahas studimeve në fushën e estetikës dhe publicistikës, ka shkruar edhe disa libra, të cilët janë vlerësuar. “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është një triologji e suksesshme, “Tregimet e tranzicionit” është një tjetër përmbledhje e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here