“Impromptu” premierë në skenën teatrore, një shfaqje që ka komponentë të teatrit absurd

0
63

Nga Julia Vrapi

“Impromptu”, një shfaqje që ka komponentë të teatrit absurd këtë shtator vjen premierë në skenën teatrore. Vepra e dramaturgut amerikan Tad Mosel me regji nga Artemis Beluli vjen në skenë si produksion teatror nga “Fondi i Teatrit për të Rinj”. Vepra teatrore do të shënojë premierën në skenë e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës dhe sjell në role pesë aktorë. Katër aktorë dhe administratori gjenden në skenë për të improvizuar një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër dhe papritur transformohet në një dramë e konceptuar në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin. Kjo, e mbuluar nga shumë fasada, vjen si një luftë për të ekzistuar para publikut. Në materialin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shpjegohet se loja e aktorëve i bën personazhet të vetëtrajtohen si kameleon nëpërmjet improvizimit. “Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale:

“Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithsecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballe sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetvetes në këtë realitet”, thuhet për shfaqjen që do të jetë premierë në datat 13, 14 dhe 15 shtator. Rolet në vepër i interpretojnë Eva Gjika, Klodian Çelmeta, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj, Erina Lazi. As. regjisore Lutfilda Kaziaj, koreografia Stini Cace, kompozitor Harlen Nikolli dhe kostumografia Dhespina Cani. Tad Mosel (1 maj 1922 – 24 gusht 2008) ishte një dramaturg amerikan. Ai mori çmimin Pulitzer në vitin 1961 për dramën e tij “Gjithë rrugën për në shtëpi”.

“Impromptu” mes 10 projekteve nga “Fondi i Teatrit për të Rinj”

“Impromptu” do të vijë premierë në skenën teatrore me mbështetjen e “Fondit të Teatrit për të Rinj”, që këtë vit në edicionin e tretë do të mbështesë dhjetë produksione teatrore përgjatë vitit 2024. Projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me teatrot e rretheve dhe Universitetin e Arteve në kuadër të “Paktit me Universitetet”. Komisioni që përzgjodhi veprat dhe regjisorët me prezantimet e tyre është bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky fond u shpall bazuar në ligjin nr. 10 352, datë 18.11. 2010 “Për Artin dhe Kulturën” i ndryshuar, si dhe në përputhje me misionin dhe politikat e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Teatrot e rretheve do të mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore, skenografinë dhe kostumografinë sipas mundësive buxhetore të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here