Tensione të reja po ndizen në Ballkan, efektet e të cilave mund të ringjallin ankesat e vjetra nga luftërat ndëretnike të viteve 1990 dhe më herët. Kroacia ka kundërshtuar kërkesën e Malit të Zi për trajnimin e disa ushtarëve, njoftoi media malazeze të hënën, e cila e interpretoi masën si një përgjigje ndaj miratimit të fundit malazez të rezolutës mbi Jasenovacin. Podgorica Pobjeda raporton se Ministria Kroate e Mbrojtjes ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën për pranimin e dy kadetëve të Ushtrisë së Malit të Zi për të studiuar në Universitetin Ushtarak Kroat. Radio malazeze Antena M paraprakisht ka publikuar informacione jozyrtare se përveç refuzimit të pranimit të dy kadetëve, nuk është pranuar as kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi për regjistrimin e një kandidati nga ushtria malazeze në Akademinë Ushtarake Kroate. “Ministria e Mbrojtjes ka marrë një vendim të tillë dhe ne do të raportojmë për bashkëpunimin e ardhshëm në atë fushë kur të vijë koha”, tha Ministria Kroate e Mbrojtjes për Pobjeda. Sipas Antena M, Mali i Zi, përmes të dërguarit të tij ushtarak, i kërkoi ministrisë kroate të pranonte tre anëtarë të ushtrisë malazeze në shkollat ushtarake, por mori një përgjigje negative.
Persona non grata
Mediat e interpretojnë këtë si një lëvizje tjetër që Kroacia bëri në përgjigje të miratimit të fundit të Rezolutës për Jasenovacin në parlamentin malazez. Zagrebi shpalli persona non grata kryeparlamentarin e Malit të Zi Andrija Mandiç , zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç dhe deputetin Milan Knezheviq. Në Mal të Zi po ashtu spekulohet se Kroacia ka bllokuar fondet për Malin e Zi nga BE-ja të destinuara për modernizimin e ushtrisë përmes Programit Evropian të Paqes. Në fund të korrikut, Parlamenti malazez miratoi një rezolutë që dënon gjenocidin në kampet Jasenovac, Mathauzen dhe Dachau. Miratimi i asaj rezolute, të propozuar nga lideri i së djathtës pro-serbe dhe proruse, Andrija Mandiq, është përgjigja e tij ndaj mbështetjes së qeverisë malazeze për rezolutën për Srebrenicën, e cila u miratua nga Kombet e Bashkuara pak më herët. Kroacia reagoi ashpër duke dërguar një notë proteste në Podgoricë dhe paralajmëroi se vendime të tilla mund të rrezikojnë rrugën e saj evropiane.
Alarmi i Gjukanoviç
Nga ana tjetër, ish-presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dha alarmin për Ballkanin nga forumi i GLOBSEC, i cili është mbajtur në Pragë këtë vit. “Në rajonin tonë, Mali të Zi, Kosovë e BeH, perëndimorët në fakt mbështesin diçka që është një kopje e botës ruse këtu – zhvillimi i rolit të Serbisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, vlerësoi ish-presidenti. Ai theksoi se është e rëndësishme që të mos ketë vakum gjeopolitik. “Nëse nuk keni ndikim të mjaftueshëm nga BE-ja, atëherë do të keni ndikimin e Rusisë. Rusia e përdori atë me shumë sukses. Pra, mund të themi se sot vlerat në Ballkanin Perëndimor janë të shkatërruara. Prandaj them se situata tani është më e keqe se 10 vjet më parë”, tha Gjukanoviç. Politika perëndimore sot absolutisht, siç shtoi ai, mbështet forcimin e politikës retrograde që është një paradoks. “Në Ukrainë, ata pengojnë zhvillimin e “botës ruse”. Lufta po zhvillohet për këtë, dhe në Ballkanin Perëndimor, politika perëndimore në fakt mbështet diçka që është një kopje e “botës ruse” – dhe kjo është zhvillimi i rolit serb në rajonin tonë dhe forcimi i nacionalizmit të madh serb” – ka thënë Gjukanoviç.
Ai vuri në dukje forcimin e nacionalizmit serb, i cili, siç theksoi, nuk është i izoluar. “Sepse nëse keni një zhvillim të nacionalizmit, atëherë edhe të tjerët do të çojnë në atë. E gjithë kjo çon në paqëndrueshmëri. Mendoj se e gjithë kjo është pasojë e mungesës së mbështetjes së vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse nga BE-ja”, tha Gjukanoviç. Ai shtoi se nuk po flet për mbështetje financiare. “Nuk bëhet fjalë për para, ne kemi nevojë për mbështetje për të riformuar opinionin publik. Ne duhet të bëjmë përpjekje që publiku ynë të njohë përfitimet e sistemit të BE-së dhe jo të ndonjë sistemi tjetër. Ne kemi nevojë për mbështetje serioze strategjike nga BE-ja, e cila, për mendimin tim dhe unë jam përfshirë në politikë për shumë vite, nuk ka qenë e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse”, përfundoi Gjukanoviç.
































