Xhoana Vraniçi
Për Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) rezultati i zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Himarës që nxori fitues Vangjel Tavon është i pakontestueshëm. Kërkesa e Koalicionit opozitar “Bashkë-Fitojmë” të dyshes politike Meta-Berisha për pavlefshmëri të zgjedhjeve u rrëzua dje nga KAS me unanimitet, me argumentin se nuk është konstatuar asnjë shkelje që do të ndryshonte rezultatin zgjedhor.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të materialeve zgjedhore në të 36-ta kutitë, në të cilat sipas përfaqësueseve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rrëzojnë pretendimet e opozitës se 6 mijë qytetarëve u mohua e drejta për të votuar për shkak se u kishte skaduar karta e identitetit.
Nga shqyrtimi i procesverbaleve rezultoi se vetëm 169 zgjedhës nuk arritën të hedhin votën e tyre në kuti. “Në përfundim të diskutimit dhe shqyrtimit të provave dhe çështjes në tërësi, KAS mbështetur në nenin 21 dhe 143 të Kodit Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore numër 11, datë 9 gusht 2024 të subjektit zgjedhor koalicioni ‘Bashkë fitojmë’”, tha kreu i KAS, Koli Bele. Po ashtu, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendosi lënien në fuqi të vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Himarë, në zgjedhjet e pjesshme të datës 4 gusht 2024.
Akuzat e opozitës
Më herët, përfaqësuesi i opozitës tha se janë rreth 26 % e votuesve me dokumente të skaduara që nuk u lejuan të votojnë, duke zhbërë kështu të drejtën e votës. Sipas tij, janë të paktën 256 raste kur nga votues është rinovuar karta e identitetit në kohë rekord, 1 apo dy ditë para zgjedhjeve, aq sa nuk njiheshin nga sistemi PEI këto karta. “Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore.
Ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës. Kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave”, tha përfaqësuesi i opozitës. Sipas tij, të gjitha këto shkelje përbëjnë arsyet për shpalljen e pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë.
Reagon PS
Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji tha se pavarësisht se nuk kishte asnjë bazë ligjore, KAS miratoi hapjen e kutive. “Shumë mirë që u hapën kutitë, të paktën kështu mbyllet njëherë e mirë debati mbi Himarën. Nga hapja e kutive nuk kemi asnjë shkelje të evidentuar, qendër për qendër”, tha përfaqësuesi i PS-së. Po ashtu, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji shtoi se opozita nuk kishte asnjë provë konkrete për të vërtetuar pretendimet e saj.
“Ky proces të shërbejë për të mbyllur sagën e Himarës se ky proces vërtetoi që zgjedhjet ishin të drejta dhe jo në shkelje të ligjit. Në shumicë KQZ ka qenë e partisë demokratik. Ishte një proces për të justifikuar humbjen. vetëm 160 persona kanë shkuar me karta të skaduara dhe ata mund të kenë qenë edhe të PS”, nënvizoi Eridian Salianji, përfaqësues i KQZ-së.
Kujtojmë se brenda 5 ditëve, opozita mund ta ankimojë vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në Kolegjin Zgjedhor i cili është hallka e fundit e ankimimit për rezultatin zgjedhor që më pas do t’i hapte rrugë betimit të Vangjel Tavos si kryetari i ri i Bashkisë së Himarës. Në zgjedhjet e 4 Gushtit në Himarë, Vangjel Tavo, Kandidati i socialistëve fitoi me një diferencë prej 1477 votash kundrejt rivalit opozitar Petro Gjikuria.