Deshamps: Spanja ka befasuar deri tani, por Franca e përgatitur

0
48

Adriatik BALLA

Kampionati Europian Gjermani-2024 po shkon drejt fundit. Sot do të luhet gjysmëfinalja e parë e nesër gjysmëfinalja tjetër, nga ku do të përcaktohen edhe ekipet finaliste. Franca e trajnerit Didier Deshamps do të sfidojë Spanjën në superformë të De La Fuentes për të siguruar një biletë në finalen e Berlinit, teksa tekniku i “gjelave” ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarët. “Spanja është skuadra që ka impresionuar më së shumti në këtë turne dhe duhet t’ua njohim këtë meritë. Në fakt edhe klubet spanjolle shquhen për kontrollin e topit. Mesfusha është arma më e fortë e Spanjës, veçanërisht me Pedrin, por ne jemi aty për të bërë ndeshjen tonë”, u shpreh Deshamps. Franca është kritikuar jo pak për cilësinë e lojës së shfaqur deri në këtë pikë të Europianit, por kjo nuk e shqetëson aspak trajnerin Deshamps, i cili ndër të tjera jep informacione edhe për formën e Mbape. “Nëse ndeshjet tona nuk ju pëlqejnë, atëherë mund të shihni ndeshje të tjera. Ky është një kompeticion i veçantë, shumë i vështirë për të gjithë. E vërtetë që kemi shënuar më pak gola, por kemi bërë ndeshje të mira dhe u kemi dhuruar emocione francezëve me rezultatet e arritura.

Mbappe do të jetë në formën më të mirë ndaj Spanjës. Ka vuajtur një problem në shpinë dhe më pas erdhi ai dëmtim në hundë, që e detyron të luajë me maskë. Megjithatë tani është mësuar edhe me maskën, përveç faktit që hunda e tij po përmirësohet gjithnjë e më shumë”, theksoi trajneri francez. Spanja dhe Franca do të zbresin në fushë në orën 21:00 të së martës në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, teksa në përfundim të sfidës, vetëm njëra prej tyre do të mund të vazhdojë të ëndërrojë titullin kampion në Euro 2024. Ndërkohë, Xhud Belingham dhe Anglia e tij kanë edhe një provë të fundit para se të mbërrijnë në finalen e Euro 2024 teksa iu duhet që të përballen me Holandën. Megjithatë, për mesfushorin, kombëtarja e tij i ka të gjitha mundësitë për t’i kaluar “tulipanët”, teksa thekson se në finale do të preferonte përballë Spanjën (iberikasit përballen me Francën). “Unë shpresoj që në finale të gjejmë përballë Spanjën. Ata kanë luajtur shumë mirë në këtë kompeticion. Megjithatë, ne duhet të mbetemi të përqëndruar te vetja, kemi përpara edhe një ndeshje me Holandën. Duhet të kalojmë në fillim ata dhe më pas të shohim, por e theksoj se do të doja përballë Spanjën”, u shpreh Belingham. Anglia e tij do të luajë me Holandën të mërkurën në orën 21:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here