Kalaja e Bashtovës ndodhet në fshatin Vilë-Bashtovë, i cili shtrihet midis qyteteve të Kavajës dhe Rrogozhinës. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se shpallur monument kulture i kategorisë së parë (I) në vitet 1948, kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore. Një herë e një kohë, zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga Venedikasit. Më pas, gjatë Perandorisë Osmane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bën me dije se në kuadër të restaurimit të kalasë së Bashtovës, janë kryer këto ndërhyrje arkitekturore: Restaurimi dhe plotësimi i qemerëve të tullës; Restaurimi i bedenave të dëmtuar; Restaurimi i shkallëve të gurit; Ndriçim artistik i mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre; Pajisja e një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur; Plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike; Mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme. Kalaja e Bashtovës ka trajtë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin, si dhe një qendër e eksportit të drithërave. E veçanta e kësaj kalaje ose kështjellë është se është e vetmja kështjellë në Ballkan e ndërtuar në fushë.