Projekti Peizazhe Arkeologjike në zonën Memaliaj-Tepelenë ka synim zgjerimin e hartës së monumenteve. Në kuadrin e projektit Peisazhe Arkeologjike po zhvillohen kërkime arkeologjike në fortesën e Matohasanaj. Projekti një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë) dhe Universitetit Sweet Briar College, USA, me bashkëdrejtues Sabina Veseli dhe Erin Pitt, është përqendruar në survey dhe kërkime në fortesën e Matohasanaj dhe rrethinat e saj, duke përdorur metodologjinë e tipit Lidar dhe hartimin e një planimetrie të integruar e të gjeoreferencuar të vendbanimit. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale Kulturore e Gjirokastrës që shprehet se gjithashtu gërmimet e kryera deri tani kanë nxjerrë në dritë një godinë. “E cila për nga planimetria dhe teknika e ndërtimit duket se ka një karakter publik”, thuhet nga DRTK. Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, e cila menaxhon fortesën, projekti që po zhvillohet ka si synim zgjerimin e hartës së monumenteve të zonës së Tepelenës. Kërkimet arkeologjike që po kryhen në kuadër të këtij projekti janë në vijim dhe të projekteve të tjerë që po zhvillon Instituti i Arkeologjisë në vendin tonë në bashkëpunim me universitetet e huaja. Në vijim të aktivitetit të tij në fushën e arkeologjisë, Instituti i Arkeologjisë në vendin tonë u përfshi hap pas hapi në një veprimtari të gjerë kërkimore duke organizuar projekte bashkëpunimi me universitete e institucione simotra të vendeve perëndimore. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, Izraeli e Polonia në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën.
Kalaja e Matohasanajt
Kalaja antike e Matohasanajt ndodhet në majën e një kurrizi shkëmbor, i cili ngrihet në qendër të luginës së Sinanajt, midis shtratit të lumit Vjosa dhe malit të Gribës. Kalaja e Matohasanajt i përket shek. V p.e.sonë dhe ka gjurmë të vazhdimit të jetës thuajse në çdo periudhë në vijim. Muret e kalasë rrethojnë një sipërfaqe rreth 3 ha, sipërfaqe e përbërë nga radhë taracash të përshtatshme për banim. Në anët Perëndimore dhe Verilindore nuk ka mure për shkak të terrenit, pasi kurrizi i kodrës është i thepisur dhe i pakalueshëm. Planimetria e kalasë paraqitet e thjeshtë, ku kemi vetëm një hyrje përmes kullës në anën jugore, pranë saj ndodhen dy kulla të tjera, njëra e rrumbullakët dhe tjetra katrore; linjat e mureve janë të gjata e të drejta, marrin kthesa në varësi të terrenit. Muret rrethuese u përkasin tri periudhave të ndryshme ndërtimi, dy periudhat e para përfaqësojnë periudhën e Antikitetit në këtë qytet, ndërsa periudha e tretë e ndërtimit përfaqëson Antikitetin e vonë.

































