Vëllezërit Durim e Valter Bami janë shoqëruar nga autoritetet policore të Dubait. Lajmi konfirmohet nga burime jozyrtare, ndërsa aktualisht Dubai nuk ka njoftuar autoritetet tona në mënyrë zyrtare, informacion i cili pritet të mbërrij në orët në vijim. Mësohet se atje janë shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe vëllezërit Bami. Policia Shqiptare është në komunikim për të bërë verifikimet nëse janë Bamët, personat që janë ndaluar. Aktualisht, burimet bëjnë me dije se po bëhet verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve nëse ka përputhje me të dhënat që ka dërguar. Kjo e fundit gjatë javës që kaloi ka dërguar informacione mbi vendet që dyshohet se fshiheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe. Aktualisht, me vendim të SPAK, në kërkim rezulton Durim Bami, në kuadër të operacionit “Revanshi”. Konkretisht në kuadër të operacionit ‘Revansh’ Durim Bami akuzohet se kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xhecukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu Durim sipas dosjes efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës. Besohet se më shumë se 16 vetë ishin vënë në ndjekje për të vrarë dy vëllezërit Valter dhe Durim Bami. Nga 50 urdhër arreste në total për shtatë grupe kriminale, 21 janë arrestuar, 29 janë akoma në kërkim, mes tyre edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka. Operacioni i zhvilluar nga SPAK, u finalizua në bashkëpunim me Europol dhe u shtri në disa qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen. Anëtarët e shtatë bandave të rrezikshme, mes të cilëve dhe zyrtarë policie akuzohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale, si vrasje, tentativa vrasje, kultivim kanabisi, etj.
Prangoset “Leksi i Druve”
I njohur me nofkën ‘Leksi i Druve’, Aleks Ndreka i vendosur gjatë operacionit REVANSH pjesë e “Metamorfozës”, në masë sigurie, “arrest në burg” në mungesë, është arrestuar në aeroportin e Malpensas në Milano. Kapja e tij, u bë tre ditë më parë, por lajmi u bë i ditur zyrtarisht sot, ndërsa po punohet me Interpol Romën për ekstradimin e tij. Ky personazh 47 vjeçar nga Lezha, biznesmen, i njohur për miqësinë dhe më pas për armiqësinë me ish deputetin socialist Arben Ndoka, ka qenë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe të atentateve të dështuara. Ai ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” ndërmarrë vitin e kaluar, korrik 2023, dhe ndaj tij ishte marrë masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje. “Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Aleks Ndreka, 47 vjeç. 47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit Aleks Ndreka, në Shqipëri”, informoi dje Policia e Shtetit.
Kush është “Leksi i Druve”?
‘Leksi i Druve’ u sulmua më 1 dhjetor 2020 në superstradën Lezhë- Laç, ku mbeti i plagosur, por arriti të shpëtojë pasi u largua nga zona dhe shkoi vetë në spitalin rajonal të Lezhës për ndihmë mjekësore. Autorët edhe në atë rast arritën të humbin gjurmët, pasi dogjën makinën në fshatin Pllanë të Lezhës. Ky nuk do ishte atentati i vetëm për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron. Gjatë Marsit të vitit të kaluar drejt tij u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, por nuk u kap nga asnjë plumb. Aleks Ndreka alias Aleksandër Deda nisi përplasjet e forta me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka, pasi informacioneve të dyshimta të Ndokës, se Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka. Kjo armiqësi u zbulua për publikun, pasi Arian Tuku dhendri i Ndokës, arrestua gjatë megaoperacionit në Itali, ku SPAK lëshoi 50 urdhër arreste. Tuku sipas SPAK, ka tentuar të vrasë “Leksin i druve”, ndërsa ka siguruar kushtet dhe për vrasjen e të “fortit” të Niklës, Durim Bami. Por përveç kësaj historie, “Leksi i Druve”, thuhet se ka patur rolin edhe për sigurimin e vendodhjeve të Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit. Ai ishte pajtuar nga Prekë Kodra, dhe ky një i arrestuar në “Revansh’, me qellim ekzekutimin e tyre.
“Metamorfoza”
Pas dosjes që mbërriti nga Franca me mesazhet e zbuluara të aplikacioneve SKY dhe ENCRO, Më 23 korrik 2023 GJKKO me kërkesë të SPAK firmosi 15 urdhërarreste duke zbuluar grupin e strukturuar krimilal pjesë e të cilës ishte dhe biznesmeni shkodran Pëllumb Gjoka. Mes të arrestuarve ishin Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali, ish shefi i operacionales, Oltion Bistri dhe ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, kurse në kërkim u shpallën Aleks Ndreka, Behar Bajri, Ervis Martinaj, Elion Hato, Denis Brajoviç, Bardhyl Mavraj.













































