“Rrethimi i Kostandinopolit” është një nga ikonat më të veçanta të koleksionit ikonografik të muzeut ikonografik “Onufri” në Berat. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat përmes një materiali tregon se ikona është gjetur rastësisht para shumë vitesh. “Autori është anonim dhe krijimi i ikonës i përket një periudhe kohore mes shekujve XVI – XVII. Ajo është gjetur rastësisht para shumë vitesh në hapësirat e Kishës së Ungjillëzimit në Kalanë e Beratit. Edhe pse në gjendje të dëmtuar ajo i është nënshtruar ndërhyrjeve konservuese përgjatë viteve. Sinteza ikonografike në pjesën e sipërme paraqet një stilizim shumë të detajuar e të pasur artistikisht”, thuhet nga QKMB që ka ndarë dhe foto të ikonës. Sipas materialit të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat në këtë ikonë mbizotëron arkitektura urbane e religjoze e kryeqytetit të Bizantit ku dallohen dhe grupime figurash njerëzore që identifikohen lehtë si besimtarë, mbretër e udhëheqës fetarë. “Skena i referohet një rrethimi të vitit 626 nga persët dhe avarët. Dallohen nga elementë të veshjes Patriarku i kohës Sergi dhe Perandori bizantin Herakli. Patriarku i shoqëruar nga klerikë të lartë mbajnë në proçesion ikonën mrekullibërëse të Virgjëreshës përqark mureve rrethuese si një akt mbrojtës i praktikuar në shekuj gjatë rrethimeve ushtarake të Kostandinopolit”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat. Ikona shënon numrin 23 në rubrikën e audioguidës së muzeut. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat edhe më parë ka pasur materiale për ikonat, autorët, etj.