Gabriel Escobar, në ditët e fundit të punës së tij si Zëvendës Ndihmës Sekretar ka komentuar situatën politike në Shqipëri, tha se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe prandaj duhet të ketë parti të afta që të ruajnë njëra-tjetrën. Që të ndodhë kjo, diplomati Escobar shpreson që opozita të jetë e qartë në udhëheqjen e saj dhe të mos zgjedhë në krye një njeri që kujton kohët e këqija të viteve 1990. “Ka shumë sfida në Shqipëri. Çështja e korrupsionit, manipulimi i disa institucione. Na duhen parti politike të afta që të ruajnë njëra-tjetrën. Ne kemi nevojë për një opozitë që mund të mbajë qeverinë përgjegjëse, që mund t’u ofrojë njerëzve opsione, një sërë opsionesh për t’u përballur me sfidat me të cilat duhet të përballet Shqipëria në rrugën e saj evropiane dhe për këtë duhet që opozita të jetë shumë e qartë se cili është qëndrimi i saj, e qartë për udhëheqjen e saj. Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”, deklaroi Escobar duke folur për Shqipërinë në emisionin “Balkan Debrief” të gazetares Ilva Tare. Pra duke qartë që përveçse ngre alarimin për faktin se Shqipëria ka ende probleme me korrupsionin dhe institucionet po manipulohen, diplomati amerikan ka edhe një mesazh për ish-kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij, ai s’mund të jetë lider i opozitës.
Asnjë person “non-grata” s’mund të jetë fytyra e PD
Por ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha vijon luftën e tij për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar thekson se një person i shpallur non grata për korrupsion nuk mund të jetë fytyra e PD. Madje Eskobar shkon më tej duke thënë se asnjë person non grata nuk mund të drejtojë asnjë parti tjetër. “Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, ka thënë diplomati Escobar në një intervistë për reporteri.net pak kohë më parë. Ndërkohë kujtojmë se SHBA është treguar e qartë me qëndrimin kundër Sali Berishës, të shpallur “non-grata” për minim të demokracisë dhe korrupsion. Më herët ka qenë po Escobar, i cili ka theksuar se do të ketë pasoja nëse PD zgjedh në krye dikë që është i shpallur “non-grata” nga SHBA. Situata në PD është në kulmin e tensionimeve, teksa demokratët duket se po shkojnë drejt një përçarje të parikuperueshme. Duke pretenduar të dy drejtimin e PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Basha është regjistruar në zgjedhje, ku i dorëzoi KQZ edhe vërtetimin e Gjykatës që tregonte se ishte ai kryetari i PD. Mbështetësit e Berishës nga ana tjetër do të votojnë të dielën kandidatët potencialë dhe më i votuari prej tyre do të zgjidhet kandidati zyrtar i Komisionit Të rithemelimit. Këta të fundit shpresojnë që PD zyrtare të pranojë verdiktin e anëtarësisë për emrin që do të përballet me socialistët.