Politika, media dhe bizneset të mbushura me spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit, KGB dhe UDB, ja si po shantazhohen e kërcënohen me dosjet e “zeza” personazhet “VIP”, Lulzim Basha zbardh kulisat

0
54

Politika, media dhe bizneset janë mbushur me spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit, KGB dhe UDB. Kjo deklaratë e fortë është lëshuara ditën e djeshme nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit në një bisedën me Agron Hoxhën që vuajti 13 vite në burgun e Spaçit, u ndal tek borxhi që PD i ka të përndjekurve, neglizhenca për të mirëmbajtuar dhe shndërruar në muze kujtese vendet e vuajtjes së dënimit për të përndjekurit politik. Kryedemokrati tregoi domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe të KGB dhe UDB. Madje Basha nënvizoi faktin se dosjet e “zeza” përdoren sot nga ata që kanë pasur akses tek to, si mjete shantazhi ndaj funksionarëve politik, punonjësve të sektorit të medias dhe ekonomisë. Më poshtë gazeta “SOT”, po pasqyron një pjesë nga fjala e kreut të PD, Lulzim Basha.

Ja një pjesë e deklaratës së Lulzim Bashës

Dy gabimet

Fakti është një mungesë, është një padrejtësi e dytë. Padrejtësia e parë është dënimi juaj çnjerëzor, padrejtësia e dytë është fakti që shteti demokratik, pas rënies së komunizmit detyrë të parë duhej të kishte vendosjen e drejtësisë në raport me ata që vuajtën persekutimin komunist me ju nëpër burgje, kampe përqendrimi. Dhe këtu, jo vetëm që nuk ka ndodhur kjo, për fat të keq një pjesë e tyre vazhduan në administratë, një pjesë e tyre u graduan në administratë. Dhe nuk po flas për administratën e PS ku kanë ruajtur edhe lidhjet, por po them edhe në administratat e Partisë Demokratike. Shokuese siç është, sepse do ta them haptazi jo për justifikim, rolin e disa prej tyre e kam kuptuar, e kam marrë vesh më vonë, por fakti është që kishte persona me pozita të larta dhe me pozita zbatuese persekucioni, që më vonë e gjetën veten e tyre në pozita të larta ekzekutive pas vitit 92.

Presionet

Shpagim personal ndaj këtyre të vuajturve është e pamundur të jepet për këto vuajtje. Ajo që mund të përpiqemi të bëjmë, është të njohim pjesën e përgjegjësisë së shtetit për ferrin në të cilin janë detyruar të kalojnë. Po sa ka njerëz përgjegjës për persekucionin që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite detyrat në administratën shtetërore. Dhe pasja vijmë tek pjesa politike. Kemi një problem nga ata që quhen rëndom në gjuhën e popullit, quhen bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, por nuk janë vetëm bashkëpunëtorët, janë dhe agjentët, janë dhe operativët e sigurimit të shtetit. Dhe brenda kësaj pastaj kemi një problem tjetër të lindur nga politika, që është përpjekja për t’i shantazhuar apo më mirë të themi përpjekja për t’i kontrolluar përmes shantazhit. Pra njerëz të caktuar në Shqipëri që kanë akses në dosje. Akses të paligjshëm në kopje të dosjeve apo dhe në dosje origjinale shantazhojnë edhe sot e kësaj dite njerëz me përgjegjësi publike. Që nga politikanë, anëtarë të parlamentit, zyrtarë të lartë, sipas raportimeve të para disa kohëve deri në zyrtarin më të lartë të Republikës dhe njerëz të tjerë me përgjegjësi publike, qofshin të botës së medias, apo të botës së ekonomisë të cilët jetojnë një jetë të dyfishtë. Duken sikur po bëjnë një jetë normale, por kur u tundet një dosje kthehen në njerëz të kontrolluar. Gjëja e parë që duhet të ndodh është që personat që marrin përgjegjësi politike, nuk duhet të jenë të shantazhueshëm, pra të mos kenë dosje bashkëpunimi me sigurimin e shtetit apo një akt më i rëndë me diktaturën e atëhershme. Propozimi që qëndron prej kohësh në parlament është që çdo person që merr përgjegjësi politike, deputet, ministër, kryetar bashkie, anëtar i këshillave bashkiak, duhet të firmos një formular që nuk ka qenë apo që ka qenë bashkëpunëtor, e tjerë e tjerë. E dyta pastaj, personat që kanë pasur një rol bashkëpunimi me sigurimin e shtetit, nuk mund të jenë përfaqësues të popullit.

Agjenturat e huaja

Është 2024, 34 vite që nga rënia e komunizmit. Është 49 vite që kur Agroni është dënuar. Është një brez i tërë i cili ka bashkëjetuar në këtë dramë dhe pjesë e kësaj shoqërie, janë ata që kanë shkaktuar këtë dramë. Nuk mundet më, edhe për hir të kujtesës të atyre që nuk jetojnë, për hir të nderimit dhe respektit të këtyre që kemi mes nesh, por dhe për hir të brezave të ardhshëm të vazhdojmë të jetojmë me këtë skizofreni brenda shoqërisë tonë ku kemi një numër jo të vogël personash publik që për tjetër gjë e mbajnë veten, e tjetër gjë ndihen se janë. Kjo duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund dhe një aspekt tjetër, që është agjenturat e shërbimeve armiqësore me Shqipërinë. Atëherë në një aspekt të caktuar dhe në një kohë të caktuar, se në disa raste kanë qenë dhe aleatë për një kohë të shkurtër dhe në veçanti sot. Autoritet përkatëse duhet të marrin masa të ekspozojnë agjenturën sovjetike dhe agjenturën e UDB-së në Shqipëri, për të hequr çdo mundësi që këta njerëz të riaktivizohen qoftë përmes vullnetit të tyre apo përmes shantazhit, që në qoftë se ju do aktivizoheni në agjenturat e reja të BIA apo FSB-së dhe GRU-ja, atëherë do keni pasoja. Është fare e thjesht, në qoftë se ka njerëz të gjallë në Shqipëri sot që atëherë kanë qenë agjenturë e UDB-së dhe e KGB-së, është në interesin e sigurisë tonë kombëtare që këto të ekspozohen. Nuk bëhet fjalë për dënim penal, thjesht të ekspozohen që të dihen këta njerëz kanë qenë pjesë të agjenturave, pikërisht që të shmangim çdo mundësi që sot keqpërdoren sërish nga shërbime sekrete armiqësore ndaj Shqipërisë dhe ndaj NATO-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here