Endri Shabani është akademik dhe politikan shqiptar, i cili shërben si drejtues i Nismës Thurje prej vitit 2020. Ai është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës që nga viti 2023. Zoti Shabani po tregon çdo ditë se kryefjalë ka vetëm interesin qytetarë dhe ndërkohë që për të mësuar më shumë rreth arsyeve që e nxitën t’i hynte politikës, por edhe projektit të tij për të ndryshuar Shqipërinë, gazeta “SOT” kontaktoi me të, i cili në një intervistë të mbushur me plotë detaje, ka zgjedhur të flasë hapur, ku fillimisht e ka ndalur theksin tek pazaret Rama-Berisha kundër drejtësisë dhe shqiptarëve. Po ashtu, ai gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, tregon arsyet pse ka vendosur të hyjë në politikë, ndërsa gjithashtu flet edhe për vizionet që ka për të ardhmen e Shqipërisë dhe planet e tij për të promovuar zhvillimin ekonomik të vendit.
-Zoti Shabani, si e patë vizitën e Edi Ramës në Athinë, a po përdor kryeministri diasporën për qëllime elektorale?
Mendoj që nëse Edi Rama do ishte vërtetë i shqetësuar për diasporën shqiptare, do kishte mbajtur premtimin që iu ka dhënë prej më shumë se dhjetë vitesh për të drejtën e votës. Nëse Edi Rama do kishte pak fare respekt për shqiptarët që jetojnë jashtë, ambasadat tona nuk do ishin trajtuar si streha qokash politike. Prandaj ka një mal të tërë mes fjalimeve të tij populiste, dhe faktit që shqiptarët e diasporës sot janë të braktisur nga qeveria e tyre.
-?Po akuzat se në takimin në Athinë çoi administratën në ekskursion, si i komentoni?
Për mua është tregues fakti që njerëzit i mori nga Shqipëria, dhe jo nga Greqia ku ka mbi 700 mijë shqiptarë. Kjo tregon përse ai nuk e do votën e diasporës, pasi ndërkohë që në Shqipëri patronazhistët i kërcënojnë njerëzit me vendet e punës, jashtë Shqipërie ai nuk ka asnjë fuqi imponuese apo detyruese.
-Si e shihni rezolutën anti-korrupsion të Edi Ramës? Disa zëra thonë se është kundër SPAK…
Kjo është një çështje shumë serioze. Në aktin e fundit të kësaj telenovele 30 vjeçare, Rama dhe Berisha kanë hequr maskat dhe kanë dalë hapur krahë për krahë jo vetëm kundër drejtësisë, por kundër shoqërisë shqiptare. Çfarë ishte votimi për amnistinë penale? Këta u bënë bashkë për të falur ata që SPAK i kishte dënuar për korrupsion dhe për vjedhjen e zgjedhjeve. E thënë më thjeshtë, u bënë bashkë për të falur ata që na kanë vjedhur taksat dhe ata që na kanë vjedhur votat. A ka provë më të qartë se kjo se ky establishment i vjetër politik është bashkë kundër Shqipërisë?!
-Ndërkohë le të ndalemi pak te disa pyetje për t’iu njohur më mirë. Cilat janë arsyet pse vendosët të hysh në politikë dhe cili është qëllimi juaj kryesor si politikan?
Angazhimi im politik është padyshim natyral, sepse ka të bëjë me një vokacion të brendshëm, por është i motivuar nga një irritim dhe një shpresë. Nga njëra anë unë jam shumë i irrituar me neo-feudalizmin shqiptar. Pothuajse ç’do mundësi për progres brezit tim i është hequr nga duart. Nëse sot do të bëhesh pedagog, mjek apo akademik në institucionet publike është e pamundur nëse nuk paguan apo iu shkon nga mbrapa çifligarëve të akademisë. E njëjta gjë në biznes. Sot të rinjtë e kanë shumë të vështirë të bëjnë biznes, pasi janë krijuar monopole në çdo sektor, dhe shteti përdoret si mashë në duart e oligarkëve për të vrarë konkurrencën. Nga ana tjetër unë realisht besoj që Shqipërisë nuk i mungon asgjë që të bëhet një vend po aq i zhvilluar sa Sllovenia, Kroacia apo vendet Baltike. Kur isha i vogël shikoja aspiratat e prindërve të mi, të cilët protestuan kundër diktaturës komuniste dhe besonin se 30 vite më vonë Shqipëria do ishte si gjithë Evropa. Për 30 vite ua lamë në dorë katër vetëve që ta drejtonin Shqipërinë, dhe rezultati është ky që shohim. Në këtë pikë, angazhimi im politik është një përpjekje për t’ua hequr Shqipërinë nga duart këtyre që e kanë rrjepur për 30 vite dhe për të kontribuar që ky vend të bëhet ashtu siç e imagjinonin brezi i prindërve të mi në 1990-ën.
-Si mendoni se politika juaj do të ndryshojë për të mirën e qytetarëve dhe për të përmirësuar shoqërinë?
Beteja kryesore e shoqërisë sonë është lufta ndaj pabarazisë ekonomike, e cila i ka rrënjët tek pabarazia politike. Kështu që ajo që ne do të bëjmë është çmontimi i oktapodit që ka kapur shumë sektorë të shoqërisë, dhe krijimi i shanseve të barabarta për të rinjtë që të avancojnë në profesionet e tyre.
-??Mendoni se eksperiencat tuaja të mëparshme dhe arsimimi juaj ju kanë përgatitur për rolin e kryeministrit?
Unë mendoj që në situatën ku është Shqipëria sot duhet vetëm një vullnet i mirë, ndershmëri dhe guxim për të luftuar për njerëzit e zakonshëm. Por padyshim që doktoratura në shkenca politike, dhe eksperienca akademike më ka ndihmuar për të patur një përgatitje profesionale në drejtimin e shtetit. Dhe sigurisht që nuk është rastësi që Universiteti i Oxfordit është vendi ku janë përgatitur prej shekujsh kryeministrat e Britanisë, presidentët e SHBA-së si dhe drejtuesit e shumë vendeve demokratike.
-Çfarë masa do të ndërmerrni për të adresuar sfidat kryesore sociale dhe ekonomike të vendit?
Sfida kryesore e Shqipërisë sot është ndezja e shpresës se ky vend mund të bëhet një vend i denjë për të jetuar. Të rinjtë sot po rriten me idenë që jeta është diku tjetër, dhe nuk i japin një shans vendit të tyre. Për këtë qëllim ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është t’i përfaqësojmë të rinjtë në Këshilla Bashkiak sot dhe në Parlament nesër, ku ata të kenë edhe një model që tregon se vendi nuk ka mbetur vetëm në duart e brezit të shkuar. Së dyti, kemi zgjedhur të luftojmë me ata që i dekurajojnë studentët. Për shembull ne kemi nisur një fushatë kundër korrupsionit në arsimin e lartë, ku paratë e studentëve shkojnë për makina luksoze për dekanët dhe rektorët, në vend që të shkojnë për libra për studentët. Sigurisht kjo është vetëm një nga betejat, por në thelb e gjithë lufta është për tu krijuar të rinjve shanse të barabarta për tu edukuar dhe për të ndjekur karrierën në fushën ku ata kanë prirje.
-Si do të përpiqeni për të inkurajuar pjesëmarrjen e rinisë në politikë dhe për të dëshmuar besueshmërinë tuaj tek ata që ju zgjedhin?
Kjo është sfidë e madhe, pasi ky brez është shumë ndryshe nga brezat e mëparshëm. Unë jam pedagog dhe e di që studentët e mi flasin një gjuhë tjetër dhe kanë tjetër botë kuptim nga prindërit apo gjyshërit e tyre. Ata kanë humbur besimin tek politika dhe janë zhgënjyer nga demokracia përfaqësuese. Të rinjtë sot janë mësuar të kenë më shumë zgjedhje në jetën e tyre, dhe nuk u pëlqen t’i marrësh për të mirëqenë. Në këtë pikë sfida jonë është tu japim mundësi të dëgjohen dhe zëri i tyre të ketë peshë në drejtimin e vendit.
-Cilat janë vizionet tuaja për të ardhmen e vendit?
Vizioni im është për një Shqipëri ku fëmija e dy punëtorëve të mund të ëndërrojë që një ditë të bëhet mjek, pedagog, inxhinier, bankier, kryetar bashkie apo kryeministër. Vizioni im është për një Shqipëri ku të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre këtu, pranë prindërve të tyre, në shtëpinë e vet.
-Cilat janë planet tuaja për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar vende pune në vend?
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm. Të shikosh bizneset që shqiptarët kanë hapur nëpër botë e kupton se nëse do kishim krijuar mundësi të barabarta këtu, ekonomia e vendit jo vetëm që do të ishte rritur me ritme më të shpejta, por do të kishim edhe një shpërndarje me të mirë të pasurisë, dhe jo përqendrimin financiar që shohim sot. Kështu që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë do të bëhet së pari përmes ligjeve anti-trust, të cilat rikthejnë garën në treg, duke penguar me ligj monopolet që janë krijuar sot. Së dyti, do të bëhet përmes një sistemi taksimi që promovon punën dhe shtresën e mesme. Në këtë pikë bizneset e vogla, përfshi atyre që krijohen nga shqiptarët e rikthyer nga jashtë, duhet të paguajnë 0 tatim fitimi për 10 vitet e para. Ndërkohë që oligarkët duhet të paguajnë 20% tatim në fitim. Ushqimet e shportës duhet ta kenë TVSH-në 6%, ndërkohë që hotelet me statusin special duhet të paguajnë 20% TVSH. Gjithashtu shtresa e mesme duhet të paguajë zero tatim për rrogat deri në 15 mijë euro në vit, dhe 8% mbi atë shumë. Ndërsa tatimi për dividentin duhet të bëhet 25%. Pra me pak fjalë, e kundërta e sistemit të taksimit që kemi sot, ku investitorët strategjik paguajnë 0% tatim fitimi për 10 vite, ku dividenti tatohet 8% dhe ku hotelet speciale paguajnë 6% TVSH.
-Si do të përmirësoni transparencën dhe llogaridhënien në qeverisjen tuaj dhe si do të luftoni korrupsionin?
Korrupsioni është vjedhje që ai që ka pushtet iu bën njerëzve të zakonshëm. Asnjë betejë kundër korrupsionit nuk mund të bëhet pa dobësuar atë që ka pushtet dhe pa fuqizuar qytetarët e zakonshëm. Kështu që nëse ne krijojmë standardizim në punësimet në administratë, nëse luftojmë shitjen e vendeve të punës, dhe nëse luftojmë monopolet në treg, kjo do të sjellë shpërndarjen e fuqisë politike dhe financiare në shoqëri. Gjithashtu instrumentet politike si referendumet, peticioni parlamentar, nismat ligjore qytetare, listat e hapura në zgjedhje dhe mekanizmi i recall-it, dobësojnë politikanët dhe fuqizojnë qytetarët. Merr këtë të fundit për shembull, mekanizmin e recall-it, që do të thotë se qytetarët mund ta shkarkojnë kryetarin e bashkisë, deputetin apo kryeministrin në mes të mandatit, i mban politikanët nën presion të vazhdueshëm nga qytetarët. Ja kështu, nuk na duhet të shpikim rrotën. Madje nuk na duhet as të shohim shumë larg. Na mjafton të shohim se çfarë po bën sot Kosova.
Intervistoi: Rigels Seliman