Detajet e plota nga megaoperacioni i SPAK, si u zbardhën aleancat mafioze, nga pakti i Martinajt me Ben Ndokën dhe Shullazin për të vrarë Durim Bamin, te planet e të “ fortit” të Niklës me Dukajt për eliminimin e bosit të lojërave të fatit

0
60

Megaoperacioni i SPAK i zhvilluar përgjatë dy ditëve në 6 qytete, por edhe jashtë vendit ka çuar në çmontimin e 7 grupeve kriminale.  Janë 50 urdhër-arreste për personazhe të krimit të organizuar, por mes tyre ka edhe figura që dikur i përkisnin jetës politike dhe strukturave të Policisë së Shtetit. Njoftimi i SPAK i shpërndarë për mediat është një histori më vete që tregon skenarët dhe aleancat mes grupeve kriminale për të goditur rivalët. Nga 50 urdhër-arreste janë ekzekutuar 20, 14 në Shqipëri, të cilët u lanë dje në masën me arrest me burg dhe 6 jashtë konkretisht 2 në Itali, 1 ne Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë, informoi në fundjavë SPAK.

Aleancat mafioze

Prokuroria e Posaçme ka goditur grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish-deputeti i PS-se Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit. Grupit të Ervis Martinajt i janë bashkuar edhe njerëzit e Emiljano Shullazit edhe pse ky i fundit ndodhet prapa hekurave i dënuar me 15 vjet burg. Mirëpo, ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur prej datës 8 gusht 2022 nuk ndalej me kaq. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e grupeve të tjera për të eliminuar Durim Bamin, një tjetër person me të shkuar të errët dhe i dyshuar për disa ngjarje kriminale. Ervis Martinajt për të realizuar qëllimet e tij i është bashkuar edhe Aldo Avdylaj, vëllai i Astrit e Altin Avdylaj. Në kundërpërgjigje, Durim Bami kishte marrëveshje me vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Grupit të tij i bashkohet edhe Fatmir Hyseni i vënë në shënjestër nga Martinaj për vrasjen e Santiago Malkos, krahu i tij i djathtë, ish-polic. Nga ana tjetër, Edison Reçi, nipi i Kastriot Reçit, kishte urdhëruar ekzekutimin e shtetasit Preng Gjini. Gjithashtu, SPAK njofton se është zbardhur vrasja e Shkëlzen Kastratit, 41 vjeç, në Fier, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt 2021. SPAK thotë se ka identifikuar vrasësit e 41-vjeçarit.

Martinaj do vriste Durim Bamin

Grupi kriminal i Martinajt ishte në aleancë të ngushtë me grupin e Lezhës, atë të drejtuar nga ish deputeti i PS-së Arben Ndoka. Martinaj dhe Ndoka, me qëllim luftën ndaj armiqve të tyre, grupin e Durim Bamit me Dukat dhe grupin Hyseni në Vlorë, si përforcim, kishin kontaktuar për realizimin e krimeve një grup tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit, të drejtuar nga Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdulaj.  Shullazi dhe Avdulaj, edhe pse në burg, ndihmonin Martinajn dhe Ndokën. Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale  kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë  edhe shtetasit Emiljani Shullazi dhe A.Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj. Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bami. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bami. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhet në njoftimin e SPAK. Ish bosi i lojërave të fatit Ervis Martinaj, tashmë i zhdukur që prej verës 2022, kontaktoi me Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar burgun dhe i kërkon vrasjen e Fatmir Hysenit.  Nga ana tjetër Shullazi kontakton me një person me iniciale T.B të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit, për të cilin kishte siguruar informacione dhe ia kishte vënë në dispozicion edhe ish deputetit Ndoka në Lezhë.

Durim Bami me Dukajt do te vriste Martinajn dhe Ndoken

Grupi i Durim Bamit evidenton SPAK spikat në zonën e Fushë Krujës dhe ka qenë në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Për t’i bërë ballë kësaj lufte me këto dy grupe kriminale Bami bën aleancë me armiqtë e betuar të Ervis Martinajt, Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin. Qëllimi kryesor i kësaj aleance ishte eliminimi i Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës. ‘Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj, dhe që drejtohet nga shtetasit Leoanard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.’, thuhet në njoftimin e SPAK.

Përplasja Martinaj-Duka

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, kur u bë denoncimi në polici prej xhaxhait të tij për humbjen e kontakteve. Ervis Martinaj gjithashtu është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen.  Kreu i klanit “Duka”, Leonardi dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon. Përveç krahut të tij të djathtë, Martinajt i është ekzekutuar Fabjol Gaxha në përplasjen e bllokut si dhe kushëriri i tij Brilant Martinaj në korrikun e vitit 2022.  Ndërkohë Leonard Duka është arrestuar në Belgjikë, falë Interpol dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.

Grupi i Edison Recit

Gjithashtu SPAK ka evidentuar edhe ekzistencën e grupit tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi, i fisit të famshëm të Reçëve në Rrëshen, nipi i Kastriot Reçit. Me qëllim hakmarrjen Reçi ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit më 15 shtator 2020, atentat që dështoi por Gjini mbeti i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte.

Implikimi i Monika Kryemadhit

Duke komentuar mega-operacionin e SPAK, gazetari Artan Hoxha nxori detaje të tjera në lidhje me veprimtarinë kriminale të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, për të cilin SPAK ka lëshuar edhe një urdhër-arrest. Teksa shpjegoi veprimtarinë e tij deri në kandidimin në radhët e PS në vitin 2013, ai rikujtoi se gjatë zgjedhjeve të këtij viti ka pasur një incident në qytetin e Lezhës ku është përfshirë deputetja Monika Kryemadhi dhe pjesëtarë të fisit Ndoka. Sipas tij në këtë incident “të fortë dhe të dhunshëm” ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka. Duke vijuar më tej ai shtoi se pas vrasjes së Aleksandër Ndokës, i vëllai nisi të kërkonte vrasësit duke menduar se ngjarja ndodhi për motive politike dhe e porositur nga politikanë të rëndësishëm të lidhur me incidentin e vitit 2013. Nga kjo pikë, është nisur një zinxhir ngjarjesh me krijime aleancash dhe përplasjesh mes grupeve të ndryshme kriminale në zona të Shqipërisë, që sot kanë sjellë hetimin e SPAK. “Arben Ndoka nuk ka qenë thjesht një deputet, ai përfaqësonte një fis apo klan që ishte shumë i fuqishëm në Lezhë. Më parë ai ka qenë emigrant në moshë te re, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni. Ka ardhur në Shqipëri është bërë pjesëtar i Gardës, pastaj ka shkuar në drejtorinë e INUK, nga aty është bërë drejtor në bashkinë e Tiranës në kohën e opozitës dhe më pas ka kandiduar për PS. Në vitin 2013 ka ndodhur një incident në zonën e Lezhës, ku u vra një shtetas në Laç në ditën e zgjedhjeve. Para se të ndodhte kjo, deputetja Monika Kryemadhi ka pasur një incident në Lezhë me pjesëtarë të fisit Ndoka. Aty ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka. Incidenti ka qenë i fortë dhe i dhunshëm. Më mbrapa Ndoka merr mandatin, PS përmbys situatën në Lezhë. Del ligji për dekriminalizimin dhe Ndoka humb mandatin sepse erdhi dënimi nga Italia. Çfarë ndodh, vëllai i tij ishte përfaqësues i pushtetit vendor dhe vritet në një atentat. Nga ky moment fisi Ndoka ka nisur hulumtimin për të gjetur kush vrau vëllanë dhe mendonin se vrasja u bë për arsye politike dhe mendonin se kjo u porosit nga Tirana nga politikanë të rëndësishëm, të lidhur me incidentin e vitit 2013. Nga atentati ka nisur një zinxhir ngjarjesh, Ndokat kanë kërkuar vrasësit. Bardhok Pllana ka negociuar me fisin Ndoka dhe ka marrë përsipër që në këtë ngjarje nuk ka pjesëtarë të fisit Rraja nga Nikla. Më pas pjesëtarët e familjes Bami për të larguar dyshimet futën një negociator tjetër. Personi tjetër që nuk ka negociuar në këtë histori, është Mariglen Haka. Ndokat bëhen bashkë me Ervis Martinajn dhe grupin e Shkodrës me Bajrat dhe përdorin lidhjet në Shijak. Përballë tyre janë grupet e Niklës, grupi i Burrelit, një grup në Kurbin, përfshirë edhe Roan Brahimin. Të gjithë grupet e Fushë Krujës janë përballur me grupet e Martinajt dhe kjo ka krijuar një zinxhir ngjarjesh që ka sjellë këtë mega hetim të SPAK”, shpjegoi ai.

Çfarë sekuestroi SPAK?

Struktura e Posaçme lajmëroi ndër të tjera se ka sekuestruar 3 milionë euro cash dhe në total 4.5 milionë euro pasuri. SPAK ka sekuestruar miliona euro, makina të shtrenjta dhe bizhu në shtëpitë e bosëve të krimit. “Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:  2.996.760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro); sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj”, njoftoi SPAK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here