Ithtarët të Berishës e Fredi Belerit të udhëhequr nga motra e Kacifasit përplasen me mbështetësit e Ramës në Athinë, mediat greke shpërthejnë në akuza

0
52

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Athinë kryesisht mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës që ndodhet në burg, Fredi Beleri kanë dalë dje në protestë kundër kryeministrit Edi Rama, i cili mbajti një takim në kryeqytetin grek në stadiumin Galatsi në sallën “Christmas Theater”. Me disa pankarta në duar ku shkruhej “NARKOREGJIM!” dhe “Mos i bëj bagëti emigrantët”, ata i kërkuan Ramës që të mos i përdorë emigrantët si mish për top sa herë i duhet të bëjë show për fushatë elektorale. Ndërkohë sipas mediave greke, një incident ka ndodhur dje mes shqiptarëve jashtë stadiumit ku kryeministri Rama po zhvillonte takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë. Sipas newsbomb.gr, mbështetësit e Sali Berishës dhe Fredi Beleri që ishin mbledhur jashtë stadiumit janë përplasur me  mbështetësit e  Edi Ramës. Sipas MEGA-s, në vendngjarje ka qenë edhe motra e Konstantinos Katsifa, i cili ndërroi jetë më 28 tetor 2018, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA në Gjirokastër.

Reagimet e mediave greke

“Protothema.gr”

Ndërkohë vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë, ku u takua me emigrantët shqiptarë në Greqi u pasqyrua pothuajse në të gjitha mediat greke. Protothema.gr që në titull e konsideron ‘mysafir të paftuar’ Ramën, ndërsa e cilëson hipokrite deklaratën e tij. “Shpirtrat shqiptare të Ramës në Athinë – Çfarë bëri ‘mysafiri i paftuar’ në Galatsi”, është titulli i Protothema.gr. Sipas protothema.gr, “Një vit pas burgosjes së Fredi Beleris, kryeministri shqiptar organizoi një festë “parazgjedhore” në Galatsi Postimet hipokrite për miqësinë e dy popujve, akuzat për korrupsion dhe persekutim të minoritetit grek”. Pothuajse në të njëjtat tone shkruan edhe Neësbomb.gr, ku e akuzon kryeministrin shqiptar si falsifikues të historisë. “Pyes veten për qëllimin e vizitës së Edi Ramës në Greqi, me kryeministrin shqiptar duke dhënë një recital nacionalizmi pasi nuk ngurroi pa turp të përmendte se Laskarina Boubulina ishte… shqiptare! Rama, në një furi të pabesueshme, nuk hezitoi të falsifikojë historinë dhe ta shkruajë si të dojë… duke dëshmuar se është edhe antihistorik, edhe i rrezikshëm! Ai u shpreh në mënyrë karakteristike se “Bubulina u rrit në një familje që fliste shqip”! Dhe e gjithë kjo në Greqi!”, shkruan Newsbomb.gr.

“Tanea.gr” dhe “Kathimerini.gr”

Ndërsa media tjetër Zougla.gr preferon ta mbajë titullin me përgjigjen e kryeministrit ndaj kritikëve,m të cilët e konsiderojnë provokim takimin e tij me emigrantët. “Rama: Nuk kam ardhur për të provokuar por për të takuar njerëzit e mi! Në këtë moment është duke u zhvilluar fjalimi i Edi Ramës në Galatsin e Mbyllur, në të cilin ai ka hyrë me duartrokitje dhe nën tingujt e himnit kombëtar shqiptar.  Kryeministri shqiptar i është përgjigjur nga foltorja Fredi Beleris, i cili tha se “ka ardhur në Greqi për të provokuar” , duke thënë në mënyrë karakteristike: “Unë nuk kam ardhur për të provokuar, kam ardhur të takoj njerëzit e mi”, shkruan Zougla.gr. Tanea.gr zgjodhi të përshkruajë atmosferën e krijuar nga shqiptarët në stadiumin “Galatsi”. “Stadiumi i Galatsit është mbushur plot me njerëz dhe organizatorët ngritën një ekran gjigant jashtë stadiumit në mënyrë që të pranishmit të mund të ndiqnin takimin e Edi Ramës. Turma njerëzish janë mbledhur paraditen e së dielës në stadiumin e Galatsit për të ndjekur fjalimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Shqiptarët që jetojnë në Athinë dhe zonat përreth, si dhe qytetarët e Shqipërisë që mbërritën me autobus erdhën me flamuj të vendit të tyre dhe disa prej tyre me këmisha me fytyrën e kryeministrit shqiptar dhe/ose pankarta”, shkruhet në artikull. “Edi Rama: Nën masa drakoniane sigurie fjalimi i tij në Galatsi”, shkruan Kathimerini.gr. Ndërkohë gazeta “SOT” po ndan me lexuesit edhe historinë Laskarina Bubulina, e cila u përmendë nga kryeministri Edi Rama dje dhe mediat greke.

Po kush është Laskarina Bubulina, Heroina Kombëtare e Greqisë?

Dhaskarina Pinoçi

Dhaskarina Pinoçi, e njohur më vonë si Laskarina Bouboulina (ose Bubulina), lindi në Konstandinopojë, ku nëna e saj Skevo Pinoçi vizitoi babanë e saj të burgosur, kapitenin shqiptar Stavro Pinoçi. Babai i saj qe në Konstandinopojë, ku si pjesëmarrës klandestin në Revolucionin e Orlofit (1769-1770) kundër Perandorisë Osmane, u arrestua nga turqit.  Familja e Bubulinës ishte nga komunitetet arvanite (shqiptare) të ishullit të Hidrës në Peloponez dhe Laskarina kishte trashëguar krejt karakteristikat fizike, si: ngjyrën ulli të lëkurës, tipare të mprehta, sytë kafe dhe faktin se ishte tejet krenare. Kur babai i saj vdiq, nëna e Laskarinës, Skeva, u kthye në Hidra, e më pas u zhvendos në Specie ku Skeva u martua me Dhimitri Lazaru-Orlofin që jetonte atje. Në atë kohë ishujt e Peloponezit dalloheshin për lulëzimin e aktiviteteve tregtare dhe vetë Dhimitri qe pronar dhe kapiteni i një flote të vogël anijesh. Ky ishte pak a shumë mjedisi në të cilin do të rritej Laskarina: një botë profesionesh, e tregtisë, e peshkimit… plot rrëfime e histori detesh dhe piratësh… po njëherësh edhe dëshirë tejet e fuqishme për liri. Greqia qe nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane për gati 400 vjet dhe njerëzit e porteve, marinarët, pronarët e anijeve dhe ushtarët grekë që ishin nën shërbim të gjeneralëve turq, kurdisën një komplot që i dha flatra fantazisë së lirisë dhe rebelimit të atij populli të shtypur. Të gjitha këto, Laskarina, jo vetëm i dëgjonte, por edhe fjalët e para që ajo kish mësuar si fëmijë ishin: “revolucion” dhe “liri”. Ndoshta kjo ndodhte në atë kohë kur tek ajo nisi të lindte dëshira që një ditë edhe arvanitasit të jetojnë në një Greqi të lirë. Ajo u martua për të parën herë në moshën 17-vjeçare. Më vonë, pas vdekjes së burrit të saj, u bë gruaja e Dhimitri Bubulit, pronar dhe kapiten i flotës, nga një familje fisnikësh, po edhe njeri shumë i pasur. E gjithë kjo pasuri mbas vdekjes në një beteje kundra piratëve, i kaloi Laskarinës. Bubulina, tashmë nënë e shtatë fëmijëve, dy herë grua e ve, në moshën 40-vjeçare mund ta kishte mbyllur jetën e saj. Por, ajo nuk u ligështua shpirtërisht. Mendja e mprehtë dhe shkathtësia e rrallë bënë që ajo shpejt ta fitojë krejt pasurinë e të shoqit, duke krijuar marrëveshje dhe aleanca me pronarët e anijeve dhe duke u bërë partnere me flotat e tjera, e duke e rritur dukshëm numrin e anijeve të saj. Në një kohë të shkurtër arriti të krijojë një pasuri të konsiderueshme.

Pasuria

Një nismë e tillë s’mund të kalonte pa u vënë re. Perandoria Osmane e deklaron fajtore për tradhti, për shkak të së kaluarës së burrit të saj që kishte kaluar në anën e Rusisë cariste gjatë luftës ruso-turke për kontrollin e Detit të Zi, dhe u përpoq t’i konfiskojë gjithë asetet e saj. Bubulina kërkoi mbrojtje prej ambasadorit rus Strogonoff, i njohur për tendencat pro-helene, dhe zbarkoi në kishat e Kostandinopojës duke kërkuar të bisedojë me nënën e Sulltan Mahmudit të II-të. Ne nuk e dimë se çfarë i tha e çfarë i kërkoi Laskarina, apo cili qe qëndrimi i saj; ndoshta ajo bisedë kokë më kokë midis një gruaje me një grua, apo mes një nëne me një nëne për jetën e saj të deriatëhershme, o ndoshta i ka rrëfyer për fëmijët e saj duke kërkuar ndihmë si të ishte vajza e saj! Dihet vetëm se nëna e Sulltanit, e prekur shumë nga guximi dhe kurajoja e asaj gruaje, e bindi djalin e vet që të hiqte dorë nga konfiskimi i pasurisë së saj. Pas një qëndrimi të shkurtër në Krime, Bubulina u kthye në Specie, dhe jo vetëm për t’iu përveshur punëve, por tashmë duke sjellë me vete edhe erërat e revolucionit. Gjatë qëndrimit në Konstandinopojë, Laskarina në fakt i qe bashkuar, si e vetmja grua, shoqërisë së fshehtë “Filiki Eteria”, një konspiracion për lirinë e Greqisë. Prandaj, kthimi në shtëpi i saj përkoi me përgatitjen e përpiktë të kryengritjes kundra sundimit turk: blerja e paligjshme e armëve dhe municioneve, transferimi i fshehtë i tyre me anije në ishullin e Speces, shndërrimi i tyre në luftanije, dhe ndërtimi i të famshmit “Agamemnon” – një anije lufte e armatosur me 18 topa, balli i anijeve luftarake të flotës gjë që bëri që ajo të mbledhë rreth vetes një ushtri të vogël me “djemtë më trima” (palikari) siç i quante ajo vetë: një organizim ku ajo paguante, ushqente dhe mbështeste krejt anijet dhe ekuipazhet. E gjithë pasuria e saj u sakrifikua për çështjen e çlirimit të Greqisë.

Lufta

Me 13 mars, 1821, me një gjëmim topi të “Agamemnonit”, komanda e të cilit ishte në duart e Bubulinës, flamuri separatist grek ngrihet mbi shtizën e një anije lufte. Ky qe dhe “Fillimi i Revolucionit” – me 3 maj 1821, flota e ishujve të Species, Hidrës dhe Psaras sulen drejt Napflios për të organizuar bllokadën detare. Ikonografia zyrtare e paraqet Laskarina Bubulinën ashtu në këmbë të “Agamemnonit” me shikim përpara, me kryet të mbuluar me veshje tradicionale, me krahun e drejtuar në pushtim të kështjellës, tashmë e mbrojtur nga 300 topa. Beteja qe e zjarrtë dhe Kapedania, siç quhet ajo, zbarkoi në terren me njerëzit e saj dhe me gjithë energjitë merr pjesë në betejën e parë. Dhe pas vijuan betejat e Monemvasias, Pilosit dhe Argosit, ku ajo humbi edhe të djalin e parë të saj, Janin.

Falja e separatistëve

Por, Bubulina nuk mbeti e famshme për shpirtin e saj luftarak. Ajo meriton të kujtohet edhe për aktin e faljes kërkuar separatistëve grekë të gatshëm për masakrimin e popullsisë së rrethuar në kalanë e Tripolisit, në zemër të Lakonias. Me ndërmjetësimin e saj, grekët kursyen jetën e grave dhe fëmijëve të familjes së Pashait, sundimtar të qytetit, në respekt për aktin e dikurshëm të nënës së Sulltan Mahmudit kur ajo zbriti për herë Kostandinopojë. Më pas ndodhi edhe 1825-ta: kufijtë e Greqisë ishin përsëri në rrezik, mbasi flota turko-egjiptiane kishte mbërritur në brigjet e Peloponezit, në qytetin Pilos. Laskarina, edhe pse tani ishte në mjerim, mbasi e kish shpenzuar krejt pasurinë e saj për revolucionin, shfaqet sërish e gatshme të luftojë, të përgatisë e të organizojë njerëzit. Papritmas i mbërrin një akuzë shpifëse nga familja e së dashurës së djalit të saj. Kjo ndodhi bëri që Laskarina të harrojë Greqinë, atdheun dhe revolucionin. Ndodhi që ajo të braktisë idealet politike dhe ta lërë luftën mënjanë. Kështu, Kapedania e humbet rolin e saj publik dhe bëhet thjesht një nënë. Përballet me të afërmit e familjes së vajzës, duke i dalë në mbrojtje djalit të saj. Papritmas atmosfera ndizet dhe një armë zjarri, e qëlluar nga një dorë që mbeti përjetësisht anonime, e godet midis ballit duke e lënë të vdekur. Dhe, kështu merr fund jeta e saj… Në këtë mënyrë vdiq Laskarina Bubulina, Heroina Kombëtare e Greqisë së Lirë, e vetmja grua admirale e marinës Perandorake Ruse, e lindur në burg, por që në zemër dhe në buzë e saj pati një fjalë të vetme: Lirinë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here