Viron Bezhani: Ja institucionet në Shqipëri ku fshihen sot spiunët, si u pengu drafti i babait tim nga PS dhe PD për të zhdukur të gjithë bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit

0
59

Viron Bezhani, i biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të ish-komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit deklaron se dosjet e këtij të fundit janë zhdukur nga vetë palët politike. Në një interviste ekskluzive për gazetën “SOT” ditën e djeshme, ai ka folur për arsyet e zhdukjes së këtyre dosjeve si edhe nuk ka lënë pa komentuar situatën aktuale politike në vend. Bezhani është shprehur se asnjë pale politike nuk i interesonte që këto dosje me tregues ‘të fëlliqur ’ sipas tij, të silleshin në skenë pasi kjo do të prekte një numër të madh spiunësh, të korruptuarish, të fshehur pas një pozicioni, dhe askush nuk e donte një rrezik të tillë. Ai thotë se një pjesë e madhe prej këtyre vazhdojnë të jenë ende në institucione, në politikë, në media dhe në fusha të tjera sipas tij. Nga krahu tjetër është treguar pesimist për ndryshimin e funksionimit te drejtësisë dhe qeverisjes së këtij vendi duke theksuar se duhet ‘ një dorë e hekurt’ për këtë ndryshim, pasi të gjithë pushtetarët mendojnë për interesat e tyre vetjake dhe jo ato të përbashkëtat për një Shqipëri sa më të mirë.

-Zoti Bezhani, pse harruan socialistët dhe Gentiana Sula të hapin dosjet e ish-sigurimit të Shtetit. Pse e çuan në ‘kalendat greke’ ligjin që do nxirrte përfundimisht nga sistemi spiunët?

Në kushte normale asnjëri nuk ka leverdi për një gjë të tillë, as të majtët as të djathtët kështu që po mundohen në mënyrën e vet për ta kaluar sa më butë këtë. Po mundohen ta kalojnë nga një fushë në fushën tjetër. Ajo kuptohet. Nuk kanë leverdi. Unë e kam gati edhe ligjin që bëri babai im në parlament, ligj i cili nuk mori miratim as nga e majta as nga e djathta. Dhe ishte pikërisht ai ligj që sot këta po kërkojnë si për pasuritë e kështu me radhë. Pra nëse do ishte miratuar ai ligj kjo që po ndodh sot, do kishte ndodhur prej shumë kohësh dhe nuk do i kishte lënë këta njerëz të ekzistonin në këtë lloj mënyre.

-Sipas Autoritetit te Dosjeve, në një reagim të fundit më shumë se 76 personalitete të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit vazhdojnë të punojnë në institucione edhe politikë. Beson se numri është më i lartë? Ku “fshihen” më shumë këta spiunë? A janë të pranishëm në Kuvend, po në media?

Kudo. Patjetër edhe në media. Në politikë,në media, në fakultete dhe çdo fushë tjetër. Ka qenë një numër relativisht i lartë, që normalisht njerëz kompetent do mund t’i përgjigjeshin me emra konkret kësaj pyetje pasi unë nuk mund të jap shumë informacion. Por ajo çfarë mund të them është që situata ka qenë ‘e fëlliqur’ dhe media ka qenë shumë e përfshirë në këtë. Jo vetëm politika sepse këtë kohë janë marrë vetëm më politikën, por është edhe arsimi dhe shumë fusha të tjera treguesit e të cilave janë për ‘të vënë duart në kokë’.

-Si e vlerësoni në gjykimin tuaj, që një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit të vijojë të mbajë një post publik dhe si procedoi Komisioni “Bezhani”?

Babai im i ndau në shkallë gjatë asaj kohe, pra bëri një ligj për disa persona që vërtet kanë qenë të angazhuar me sigurinë e shtetit por që nga krahu tjetër sigurisht kanë bërë vetëm detyrën e tyre, punën e tyre dhe nuk kanë mashtruar, nuk kanë gënjyer. Këta persona i futën në një kategori që mund të vazhdonin jetën e tyre normale në çdo lloj funksioni. Nga ana tjetër për njerëzit që ishin të përfshirë në pisllëqe, afera apo në vrasje qoftë edhe deri në burgosje të tjetrit duke shpifur, për këtë kategori nuk duhet të kishte falje. Pra i ndau me kategori.

-Me arrestimet e fundit në mazhorancë, a mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?

Vendi duhet të shkonte prej kohësh në zgjedhje të parakohshme sepse është e vetmja zgjidhje që të mundet të shpëtojë ky vend pasi nuk mund të shpëtojë dot ndryshe. Dihet që e ka marrë të gjithë pushtetin. Unë kam qenë vet nëpër aktivitete, fushata dhe në momentin që kemi një situatë të tillë nuk mund të kemi kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra në këtë aspekt duhet me patjetër një bashkëpunim ku të dyja forcat të kenë një sens pozitiv. E thënë ndryshe duhet të thonë të dyja apo të gjitha palët “boll më”, është bërë çfarë është bërë, por ‘hajde të gjejmë rrugën e përbashkët për të mirën e Shqipërisë’. Duke filluar që nga arsimi situata e të cilit është alarmante pas konstatimit tim nëpër disa shkolla. Thonë se kanë nga 4-5 matura por po ti mbledhësh bashkë nuk bëjnë as 1 mature. Pra një situatë e tillë ku po largohen të gjithë Shqiptarët është e rëndë. Të gjithë i kemi fëmijët jashtë edhe nuk është normale mos ti gëzojmë ata fëmijë. Duhet një ‘dore e forte’ ku të gjithë ta mbledhin veten. Nuk mund të vazhdohet duke vjedhur, duke abuzuar dhe duhet ditur që ato çfarë shohin njerëzit janë gjëra minimale sepse problemet janë shumë më të thella. Shqipëria është një vend që i ka të gjitha kështu që hajde ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç e meriton të jetë. Babai im thoshte që Shqipëria ka burra të besës dhe të aftë për të drejtuar shtetin apo qoftë edhe gjithë Ballkanin. Por me keqardhje un them se në këto momente Shqipëria nuk ka më ‘Burra’ por vetëm ‘bula’. Përfshij këtu secilin krah pasi të gjithë e kanë pasur mundësinë të bëjnë diçka pozitive për këtë vend. Mendoj se pavarësisht të gjithave ende do vazhdoj kjo gjë për shumë kohë dhe duhet shumë punë për të ndryshuar gjërat.

-Si mund të realizohen gjithë këto sipas jush?

Vetëm nëse vjen dikush, pra një dorë e fortë. Thuhet se nuk duhet të presim nga Amerika dhe ndërkombëtarët por që ne kjo lloj kaste politike na rrethon. Këta e kanë mendjen të fusin njerëzit e korruptuar dhe më pa karakter në pushtet. Duke rikujtuar Rastin e Azerbajxhanit rastin kur Zv/kryeministri i futi në burg të gjithë të korruptuarit edhe pse ishin shokët e tij. Kështu duhet edhe tek në. Edhe nëse nuk ka marrëveshje, ai që abuzon duhet të shkojë në burg, me qellim që ai që do vijë duhet të kuptojë që e pret burgu po bëri të njëjtën gjë. Por nëse njëri bashkëpunon me tjetrin për të mbuluar gjërat e njëri-tjetrit, kështu do të vazhdojë kjo punë.

Intervistoi: Rovena Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here