Fondet për bujqësinë, kush përfiton nga skema, zbardhet udhëzimi i ministres Denaj, ja kriteret që do të aplikohen

0
40

Scan Tv zbardh udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë sw drejtuar nga ministrja Anila Denaj “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë”. Janë 8 kategori të cilat do të përfitojnë nga programet e mbështetjes, risi është fakti që përmes skemës për 2024 do të synohet edhe bashkimi i fermerëve të cilët nuk plotësojnë pragun e përcaktuar. Thënë kështu, me ndryshimet e bëra iu krijohet mundësia, që të përfitojnë nga fondet e mbështetjes  edhe fermerëve që kanë më pak se 10 lopë, apo më pak se 100 krerë bagëti të imta. Kushti vetëm është që të jenë të regjistruar, pra të pajisur me NIPT si edhe të bëhen bashkë, apo të aplikojnë në grup. “Grupi i fermerëve krijohet brenda kufijve administrativë të një bashkie. Në rastin kur një apo më shumë anëtarë të “Grupit të Fermerëve” pas kontrollit administrative të dokumentacionit apo verifikimit në terren, rezulton se nuk përmbushin kriteret e përfitimit të masës mbështetëse , nuk përfitojnë mbështetje as anëtarët e tjerë të grupit”, thuhet në udhëzim, ku theksohet po ashtu se në rastin e aplikimit në grup, duhet të ketë kontratë për shitjen e qumështit tek një subjekt i licensuar. Kontrata parashikon që sasia e qumështit të shitur të jetë jo më pak se 30 për qind e prodhimit që realizon grupi. Të njëjtat kritere vlejnë edhe për bagëtitë e imta si edhe për bletërritësit, të cilët duhet të dorëzojnë po ashtu 30 për qind të prodhimit si edhe për kultivuesit e bimëve medicinale. Ndërsa për fermerët që kultivojnë perime, rrush apo luleshtrydhe kusht për bashkimin duhet të jetë kultivimi i të njëjtës kulturë për të paktën një sezon. Sa i takon naftës, risi është që ndryshe nga vitet e mëparshme, subvencioni do të kalojë përmes llogarisë bankare. Në udhëzim është e detajuar edhe procedura e aplikimit që duhet të ndiqet nga qytetarët. Me përfundimin e fazës së aplikimit, sistemi gjeneron automatikisht listat e aplikantëve për çdo masë mbështetëse. Brenda 20 ditëve kalendarike, AZHBR shpall listën e aplikimeve të kualifikuara dhe dokumentet që duhet të dorëzohen në fazën e dytë. Aplikimet do të nisin në fund të muajit mars, konkretisht në 27 Mars dhe do të mbyllen më 19 Prill. Kujtojmë që në mbështetje të sektorëve të bujqësisë, për vitin 2024 janë vënë në dispozicion rreth 30 milionë euro. Ndwrkohw kategoritë që do të përfitojnë nga skemat e mbështetjes në bujqësi vijojnw: Mbështetja për lopët, në vlerën 10 mijë lekë për krerë, për tufa mbi 10 krerë në fermë; Bagëtitë e imta, me një mbështetje 1200 lekë për krerë, për tufa mbi 100 krerë për fermë; Mbështetjen për bletarinë në vlerën 1000 lekë për zgjua, ku ferma duhet të ketë të paktën 50 zgjoje; Mbështetje për perimet, luleshtrydhet dhe rrushit në tavolina sera me vlerë 200 mijë lekë për hektar, por jo më shumë se dy sezone dhe jo më pak se një hektar fermë; Mbështetje për bimët mjekësore me një vlerë 30 mijë lekë për hektarë, në jo më pak se 1 hektar të kultivuar; Naftë për bujqësinë përmes llogarisë bankare; Mbështetje për certifikimin e fermave organike dhe Implementimi dhe certifikimi global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe kultura të tjera bujqësore, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here