Bajerni përmbys Lacion dhe shkon në çerekfinale, kualifikohet edhe Paris SG

0
53

Liga e Kampioneve zbriti në fushë këtë mesjavë me duelet e kthimit të turit të 1/8 e finales, ku pritej me mjaft interes dueli midis Bajernit të Mynihut dhe Lacios. Kjo pasi duelin e parë e kishin fituar italianët me rezultatin 1-0, duke shkaktuar befasi dhe gjermanëve u duhej mbrëmë një reflektim i thellë për atë që ishin dhe objektivat e tyre sezonalë, nisur dhe nga situata që po kalojnë në Bundesligë. Ndeshja e mbrëmshme shkoi mirë në pjesën e parë për bavarezët, që shënuan dy gola në minutat e fundit të fraksionit të parë, respektivisht me Herri Kejn në minutën e 39-të dhe Tomas Mullerit në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Me shifrat 2-0 mbyllet  pjesa e parë, e cila konfirmoi se Bajerni, edhe pse po kalon ditë të vështira, ka kurajë të gjejë rrugën e duhur të suksesit dhe nuk do të heqë dorë lehtë nga ambiciet për ta fituar trofeun e Champions League. Në pjesën e dytë Bajerni e ruajti nivelin e lartë të lojës dhe arriti të shënonte pas shumë përpjekjesh golin e tretë në minutën e 66-të, me anë të Herri Kejn. Ky gol i dërrmoi ëndrrat e Lacios për të balancuar lojën e rezultatin dhe për tu kualifikuar. Përfundimisht fitoi Bajerni me rezultatin 3-0, fitore e merituar dhe një kualifikim i merituar. Ndeshja tjetër e luajtur dje në Champions League ishte ajo mes Real Sociedadit dhe Paris San Zhermen. Francezët kishin fituar ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 dhe vinin të qetë në këtë përballje. Kilian Mbape ishte ai që e zgjidhi si duhet aksionin e francezëve në minutën e 15-të, duke shënuar golin e avantazhit, pasi ishte asistuar si duhet nga Dembele. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për francezët. Ishin pikërisht miqtë që e dominuan ndeshjen dhe në pjesën e dytë, ku i përhershmi Kilian Mbape shënoi golin e dytë të tij në këtë duel në minutën e 56-të. Në minutën e 65-të Sociedadi shënoi golin por gëzimi zgjati pak pas VAR konfirmoi që ishte i parregullt. Emocione pati deri në fund, me francezët që synonin të shënonin të tjerë gola, por ishte Sociedadi që shënoi golin e nderit në minutën e 89-të me anë të Merinos. Fitoi PSG me shifrat 2-1. Ndërkohë, sot në mbrëmje do të luhen dy duelet e tjera të kthimit për 1/8 e finales së Champions League. Kështu, Mançester Siti do të presë Kopenhagenin, në një duel që nuk pritet të ketë shumë histori, pasi angleztë kanë fituar duelin e parë 3-1 në transfertë dhe e kanë hedhur hapin e kualifikimit. E njëjta gjë vlen për Realin e Madridit që pret sonte Leipzigun. Spanjollët e fituan duelin e parë në Gjermani 1-0 dhe shihen favoritë absolutë për të shkuar në çerekfinale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here