PS kërkon që drejtuesi i Gardës të zgjidhet me garë, PD del kundër dhe zbulon pse kjo skemë dëmton sistemin e karrierës

0
97

Në drejtimin e kryetares, Klotilda Bushka, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e radhës online dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori dje në shqyrtim dy projektligje, nisma deputetësh. Pas miratimit të programit, kalendarit të punimeve dhe procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Gardën në Republikën e Shqipërisë”, depozituar nga deputeti i PS, Nasip Naço. I ftuar për të dhënë mendim për nismën ishte Besmir Beja, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Gjatë prezantimit të nismës, Naço sqaroi nevojën e sjelljes së ndryshimeve ligjore, si dhe paraqiti sugjerimet e tij për përmirësimin e disa çështjeve që sipas nismëtarit do të ndikojnë në rritjen e efektivitetit të punës së Gardës. Ndër të tjera, Naço sqaroi se thelbi i nismës së tij synon ndryshime për kohëzgjatjen e ruajtjes së personaliteteve të tjera dhe banesave të tyre pas përfundimit të mandatit; përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, me qëllim shndërrimin e këtij procesi në një proces konkurrues e meritokratik; njehsimin dhe njohjen e gradave, si dhe përcaktimin që trajtimi financiar dhe vlera e kompensimit të vendoset nga Ministri i Brendshëm dhe të zbatohet në praktikë. Naço bëri të ditur se nisma i është dërguar për mendim edhe Ministrisë së Brendshme. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Besmir Beja, shprehu dakordësinë me nismën dhe vlerësoi se projektligji do të ndihmojë në zgjidhjen e disa problematikave të hasura në zbatimin e legjislacionit aktual, si dhe trajtimin financiar më të mirë për punonjësit e Gardës së Republikës. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, u shpreh se kjo nismë dëmton sistemin e karrierës. “Është ligj me porosi. E vetmja ndërhyrje është ajo që i referohet nenit 17, me kriteret dhe procedurën e emërimit të gardës. Kjo është një ndërhyrje thelbësore. Thelbi i ndërhyrjes është kaq i thjeshtë sa po e përshkruaj. Rregulli deri më tani ishte që drejtori i gardës do duhej të gjendej nga brenda strukturës së gardës, si një vijim logjik institucional të shkallareve të gradave dhe eksperiencës. Çdo funksionar i gardës ka të drejtën e tij, në bazë të përvojës, gradës, ta aspirojë atë nga brenda gardës. Ndërkohë propozimi, hap një derë që drejtuesi i gardës të mund të emërohet, pavarësisht se thuhet me konkurrim…etj, jashtë strukturës së gardës. Është një propozim që i jep mundësi që drejtori i gardës të vijë jashtë radhës së gardës, dyshoj unë me klientelizëm. Mediet ia kanë vënë edhe emrin, që në krye të vijë një njohje e vjetër e strukturave të policisë siç është Çako. Duket fare qartë që është ligj me porosi”, theksoi Alibeaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here