Arben Malaj rrëfen “thikat pas shpine” brenda PS: Ja ‘njësia ushtarake’ që përdorte Edi Rama kundër personave që nuk i donte në parti, si thurte skema me dy kolegët e mi për të më nxjerrë jashtë loje dhe ndryshimi i tij i madh me Fatos Nanon

0
139

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka folur për krisjen e tij me kreun e qeverisë Edi Rama. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Malaj zbuloi ‘njësinë ushtarake’ që përdorte dikur Edi Rama kundër personave që nuk i donte në parti, ndërsa gjithashtu tregoi si kryeministri aktual thurte skema me dy kolegët e tij për ta nxjerrë jashtë loje ish-ministrin dhe ndryshimi i tij i madh me Fatos Nanon. Ndërkohë ai zbuloi se aktualisht po shkruan një libër ku flet për krizat dhe krisjet brenda Partisë Socialiste.

-Zoti Malaj, si ka qenë për ju fëmijëria juaj, si ka qenë të jetosh në një familje të madhe?

Në atë kohë kishte probleme me ekonominë, por kishte një pasuri të gjallë sepse 9 fëmijë ishim më një diferencë të vogël me njëri-tjetrin. Familjet e mëdha atëherë kanë qenë traditë, sepse çdo fëmijë ishte krahë pune.

 -Me kë keni qenë më të lidhur me nënën apo me babin?

Nëna është e veçantë, kurse babai ishte pak më i rreptë, ishte edhe ushtarak.

-Nuk ka qenë e lehtë për të ndjekur shkollën e mesme për ju. Keni bërë shumë kilometra në këmbë për të shkuar nga Llakatundi në Vlorë dhe nga Vlora për tu kthyer sërish. Çfarë ju frymëzonte?

Investimi më i madh që bëri familja te ne ishte dashuria për t’u arsimuar. Unë kisha dy vëllezër që kishin mbaruar universitetin Bujqësor. Njëri në Tiranë, tjetri në Korçë. Në atë kohë kishte një vendim që nga një familje nuk mund të jepeshin më shumë se një, dy bursa. Unë nuk mora mbështetje as për shkollën e mesme dhe nuk kisha qejf të vazhdoja agronomi derisa të gjeja diçka ndryshe. Mora përsipër që të bëja shkollën e mesme natën në Vlorë. Ishim 4 shokë nga Llakatudi dhe ishte një sakrificë jo e lehtë. Gjëja më e tmerrshme ishe të ktheheshe natën. Ne për të shkuar në Llakatund kalonim përmes varrezave të Vlorës. Ishte si e programuar, sa fusje këmbën në varreza e derisa dilje një kukuvajkë të ndiqte me atë zërin e saj rrëqethës dhe kur ishe vetëm ishte e frikshme. Unë i jam shumë mirënjohës mësuesve të mi sepse ata më kanë promovuar. Unë nuk kisha ndonjë bazë familjare për karrierë të rëndësishme politike, profesionale mund ta arrija vetë, por mësuesit e mi të shkollës së mesme e dinin vështirësinë për shkollimin tim dhe shkonin në komitetin ekzekutiv që unë të merrja bursë. Studentët tanë nuk e kuptojnë që ka pasur pengesa për të shkuar në universitet sepse ata mund të zgjedhin çfarë të duan. Unë punova 6 vjet në bujqësi, por kolegët e ekonomisë dhe financierë më merrnin gjatë periudhës së verës për të ndihmuar për financimin e shkollës dhe mora një edukatë pune të veçantë. Jam rritur që i vogël me profesorë që më kanë ndihmuar edhe të formohesha edhe të promovohesha.

-Si ka qenë për ju që të kishit kontakte me familjet e persekutuara të asaj kohë që ishin figura politike?

Llakatundi ishte një vend mikpritës. Unë kam punuar në të njëjtën zyrë me ministrinë e Bujqësisë në atë kohë, vëllai im ka punuar si agronom dhe aty ishin shumë familje të internuara. Babai thoshte i ndihmoni sepse i ka rënë halli.

-Keni një foto ku keni dal ngjitur me Bashkim Finon, me të cilin keni qenë edhe shok dhome?

4 vjet. Unë e kisha si vëlla dhe më dhemb fakti që ai iku kaq shpejt. Ishim shokë dhome, ishte njeri shumë i mirë. Edhe pse ishte nga Gjirokastra, gjatë verës punonte kamerier dhe kursimet vinte i harxhonte me ne.

-Si u përfshitë të dy në politikë?

Ishin negociata të vështira, ku Berisha kërkonte të krijonte një qeveri kombëtare. Socialistët, në mënyrë të veçantë Presidenti Mejdani ishte shumë në siklet dhe në vështirësi sepse mendonte që çdo ditë që ikte shtonte të vrarët në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitin 1997. U diskutua që në atë kohë do krijohej qeveria dhe Berisha vuri kusht që asnjë figurë e lartë politike nga PS të mos ishte. Në atë mbledhje dikush bëri një propozim për emrin tim, Berisha nuk e kundërshtoi. Por ne patëm në debat të vështirë te PS-ja sepse unë i thashë Mejdanit që duke qenë nga Vlora unë nuk mund të bashkëqeveris me të. Jo se nuk doja, por se ai gjithmonë do tentonte ta hidhte fajin te Vlora. Kjo do nxiste më shumë debate me të se sa bashkëpunim. Mejdani më tha “do ia thuash këto në sy Berishës që të dalim nga kriza”. ‘Ia them’ i thashë unë. Kur un rashë dakord t’ia thoja, dy kolegë në PS filluan të me thoshin “po sikur t’i thuash këtë, po sikur t’i thuash atë”. Në një moment më kapi inati i labit dhe i thashë ‘ju edhe më thoni bëhu kryeministër dhe më tregoni çfarë t’i them Berishës”. Përplasa derën dhe ika në shtëpi. Më vonë u vendos për Bashkimin. Duke qenë se unë e njihja personalisht, më mori e ëma dhe më tha “mos ma lër djalin vetëm”, sepse Bashkimi nuk e kishte arritur të atin. I kishte vdekur para kohe. E ëma nuk ishte martuar kurrë dhe e kishte gjënë më të veçantë. Aty u dorëzova dhe Bashkimi kishte vendosur që për ministër Finance dua Malajn dhe u bashkuam të dy.

-Besoj se duhet të ketë qenë shumë e vështirë të drejtoje financat shqiptare në vitin e mbrapshtë?

Para një muaji shkova në një supermarket për të blerë fruta, perime dhe një grua që shërbente ma mori qesen nga dora dhe tha do ta bëj unë për ty. Jo i thashë e bëj vetë. Jo tha do ta bëj unë se ju nuk e dini sa ju donte populli. I thashë që nuk bëmë gjë. Dhe më tha “ju na dhatë shpresë në atë vit të zi”.

-Si ndiheni kur merrni mesazhe të tilla?

-Ndihem mirë, por ndihem dhe në borxh. Mundohem të jem aktiv edhe duke bërë analiza, komente sepse edukimi im si financier, edhe edukimi politik, është bërë edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ne duhet ta kthejmë borxhin në çdo kohë.

-Ishte e vështirë që të bashkëpunonit me Fatos Nanon?

Asnjë ministër nuk është i suksesshëm nëse nuk ka marrëdhënie të mira me kryeministrin e vendit. Kam qenë me fat që kam punuar me të, mund të kishte momente tensioni, por pastaj kishte mirëkuptime.

-E pranonte Nano mendimin ndryshe brenda qeverisë dhe partisë?

Ne flisnim pa asnjë rezervë dhe pa asnjë frikë. Kishte raste kur ne kishim një propozim dhe ai kishte tjetër mendim dhe më pas tërhiqej.

-A mbani sot kontakte me të, pasi ka qenë në një gjendje jo të mirë shëndetësore?

Po shkëmbej mesazhe. Sepse në gjendjen që është nuk do që të takoj njeri.

-Ku e gjenit frymëzimin në atë kohë?

Shpesh më pyesin për politikan ët e rinj se ca duhet që të kenë si vlerë dhe unë them që gjëja e parë është se duhet që ta duan këtë vend. Nëse e duan janë mundësit për të ndihmuar që ai të zhvillohet.

-Jeni rritur në një familje të madhe, donit ju apo bashkëshortja që të kishit më shumë se një fëmijë?

Jo në fakt, ja lamë zotit.

-Është larg goca juaj, jeton në SHBA?

Po. E do Shqipërinë dhe vjen dy herë në vit.

-A të vjen keq që ndodhet në Amerikë? Do doje që të ishte në Shqipëri?

Problemi është që distanca është bërë diçka e pamatshme sepse i ke të gjitha mundësitë e kontakteve. E rëndësishme është që ajo ndjehet mirë dhe është ambicioze.

-Kur ka ndodhur krisja e parë me Edi Ramën, përtej asaj publike?

Unë jam duke shkruajtur një libër për historitë e brendshme të PS-së gjithmonë me një lloj pozitiviteti, por pa i anashkaluar momentet kur PS ka filluar të ketë krizat e saj ose përkeqësimet e saj në demokracinë e brendshme. Unë nuk e di kur ka filluar. E ndjeva në një sulm mbrapa shpine që më bëri “Lëvizja Mjaft”, e cila mori dhe deformoi detarimin tim nga 10 mln në 1 mln lekë. Dy deputetë që unë mendoj se kanë qenë të stimuluar dhe nga ai vunë një kuti në parlament të mblidhnin para për ministrin më të varfër të Financave. Një miku im vajti dhe e goditi atë kutinë, kishin zgjedhur një kuti nga ato të votimeve. Unë nuk kisha ndonjë shqetësim sepse kisha vlerësimin ndërkombëtar, personal dhe publik kur kaloj rrugës, por mu duk shumë i keq gjesti dhe mendoj se ‘Mjaft’ ka qenë një njësi ushtarake që Rama e përdorte kundër atyre që nuk donte. Atëherë kam bërë shumë llafe me Ramën se ishte thikë.

-E dinit në atë kohë?

Patjetër, sepse dikush kishte qenë brenda kur ai kishte thënë që këta të dy (dy kolegë të tjerë) mi ndihmo, kurse këtë ma godit.

-Pse mendoni se ishte ky sulm ndaj jush?

Vetëm reputacioni publik. Unë nuk kisha ndonjë gjë me të, e kisha ndihmuar, i kisha dhënë 26 milion euro kredi nga Banka e Këshillit Evropian për shkollat e Tiranës. Duke përdorur autoritetin tim dhe dashamirësinë e autoriteteve ndërkombëtare e kemi thirrur Ramën të vinte në Paris dhe të firmoste marrëveshjen. Nuk kam pasur asnjëherë asgjë me asnjë, sepse edhe lexoja edhe punoja dhe këto dy armë më mjaftonin që të rezistoja.

-Po marrëdhënia me Metën si ka qenë në atë kohë?

Ka qenë korrekte. Ka qenë vendimmarrës, një gjë që e thoshte mundohej që ta çonte deri në fund.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here