Ariet dhe duetet nga operat më të njohura të historive të mëdha të dashurisë do të vijnë mbrëmjen e 14 shkurtit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti vokalo-simfonik “Puccini in Love” do të sjellë në skenë solistët e TKOB dhe artistë të tjerë të ftuar, që do të interpretojnë ariet dhe duetet e operave të kompozitorit italian Puçini. Më datë 14 shkurt do të interpretohen arie dhe duete nga operat “Tosca”, “Turandot”, “La Boheme”, “Manon Lescaut”, “Madame Butterfly”, “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schicchi” dhe “Le Villi”, të gjitha janë vepra të shkruara nga Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini). Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se do të jetë një mbrëmje dedikuar dashurisë e pasionit. ““Puccini in Love” sjell një mbrëmje të tërë dedikuar dashurisë e pasionit, me ariet dhe duetet nga operat më të njohura të historive të mëdha të dashurisë, më 14 shkurt, ditën e të dashuruarve”, thuhet nga TKOB në faqen e tij. Në këtë koncert Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së. Dirigjent Sandor Gyudi, dirigjent kori Dritan Lumshi. Solistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në koncert janë Eva Golemi, Amadi Lagha, Armando Likaj, Dorina Selimaj, Ivana Hoxha, Ramona Tullumani, Renisa Laçka, Nina Muho, solistë të ftuar janë Lau Fortino, Giorgia Vitiello, Antonia Cuomo, Konservatori i Salermos “Giuseppe Verdi”.
Koncerti vokalo-simfonik në vijim të “Vitit të Puçinit”
Koncerti që do të jetë më 14 shkurt është në “Vitin e Puçinit”. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëri me dije disa ditë më parë se rreshtohet këtë vit krah për krah me teatrot botërorë, që vitin 2024 ia kanë dedikuar kompozitorit të madh, Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini). Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjiten veprat kryesore të tij, kjo falë bashkëpunimit me “Fondazione Festival Pucciniano” në Itali, fondacioni i cili çon përpara veprën e Puçinit në botë. Bashkëpunimi i parë është ai për operën “Il Trittico”, një opera që ka tre vepra brenda saj që do të interpretohen në një natë dhe përfshihen më shumë se 100 artistë, për të vijuar më tej me veprat operistike “La Boheme”, “Madama Butterfly” dhe “Tosca” si dhe koncerte simfonikë me muzikën e Puccini-t. “Il Trittico” nga Puçini me libret nga Giovacchino Forzano dhe Giuseppe Adami do të vijë në TKOB në datat 29 shkurt dhe 1, 2, 3 mars. Dirigjent maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe regjia Ada Gurra. Tri skenografi, të ardhura enkas nga Italia për këtë shfaqje, me mbështetjen e Fondazzione Festival Pucciniano dhe Institutit Italian të Kulturës. Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini) lindi më 22 dhjetor 1858 dhe vdiq më 29 nëntor 1924, njihet si një nga kompozitorët operistikë më të mëdhenj të fundshekullit XIX.