“Hija e zezë” pas inceneratorëve, kush është biznesmeni që përmendi Arben Ahmetaj me 40% te Landfilli i Tiranës

0
97

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj zbuloi në një intervistë nga arratia së fundmi, se 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës zotërohen nga shtetasi shqiptar me pasaportë të Kosovës, Blerim Hoxha. Ky personazh ka qenë deri më tani i panjohur. “Po kthehem tek inceneratori i Tiranës. Në atë intervistë kam thënë, ndiq paratë. Sot unë kam një besim shumë të palëkundur se, në raport me inceneratorin e Tiranës, Mërtiri është viktimë. Unë kam besimin të konsoliduar se Mirel Mërtiri nuk është më pronari. Ja kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ia marrë. Pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës? Është Blerim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri? Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai, sipas letrave që ka nxjerrë Këlliçi. Unë u habita kur i lexova letrat e Këlliçit dhe po bëja pazëllin, kush qëndron pas këtij njeriu. Këto janë arsyeja pse unë mund të jem kërcënuar dhe do të vazhdoj të kërcënohem edhe pas kësaj interviste. Po, burri njëherë vdes. Kush e ka 40%. Po 20% në parajsat fiskale kush e ka. Mirel Mërtirin e kanë zhdukur nga Shqipëria këta që të them unë për t’i marrë biznesin dhe ia kanë marrë. Mireli tek intervista me ju, ju referua për mua me të drejtë, konceptit të pronarit faktik,”tha Ahmetaj. Po gjatë intervistës, Ahmetaj dha edhe shumë pyetje pa përgjigje. “Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës?”. Disa prej këtyre pyetjeve, i është përgjigjur media dhe politika.

Detajet

Blerim Hoxha ka lindur në Kosovë dhe është me shtetësi zvicerane. Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ka studiuar për shkenca ekonomike, menaxhim dhe tregti në Institutin e Studimeve Globale në Universitetin e Gjenevës. Pavarësisht se gëzon 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës, emri i Blerim Hoxhës dhe e kaluara e tij është përmendur pak. Me kompaninë e tij Tosk Energji, Blerim Hoxha njihet për menaxhimin që i ka bërë ARMO-s deri në vitin 2020. Tosk Energji është një shoqëri e regjistruar në Shqipëri me administrator Blerim Hoxha. Në tetor të vitit 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi një transfertë të dyshimtë 13 milionë euro nga kompania Gunvor për kompaninë Tosk Energji. Gunvor në atë kohë figuronte në listën e zezë të qeverisë amerikane, pasi dyshohej se një pjesë e aksioneve të saj zotëroheshin drejtpërsëdrejti nga presidenti rus Vladimir Putin. Këtë e ka konfirmuar edhe gazetarja Ola Xama, e cila tha se Hoxha ka financuar PS në fushata. “Blerim Hoxha është pronar i kompanisë Ikare me bazë në Zvicër, ka 40 për qind të inceneratorit të Tiranës. 20 për qind janë në parajsa fiskale dhe 40 për qind janë të një italiani, Presezi, që erdhi dhe bëri edhe një takim te Agjencia e Pronave të Sekuestruara. Hoxha është përfaqësues i kompanisë “Tosk Energy”, një biznes që më pas ka marrë pronësinë e rafinerisë së Ballshit, përmes kompanisë SPD. Ai ka lidhje me të dyja linjat që financojnë fushatat, edhe të z. Rama, edhe të z. Veliaj”, është shprehur Ola Xama. Gjithashtu edhe Këlliçi ka akuzuar Hoxhën, si të lidhur me rusët. “Blerim Hoxha futet në histori pas muajit maj 2022 përmes kompanisë së tij dhe zotëron 40% aksionare në inceneratorin e Tiranës, dhe janë të llahtarshme veprimet  që janë kryer aty që shkon deri në parajsa fiskale. Icare Groupt është një kompani që përfshin tre individë që janë Marigona Metaj, Blerin Hoxha dhe Christof Dagbord dhe këto të fundit janë të përfshirë në rafinerinë eARMO dhe e dërguan për skrap. Metaj dhe Dagbord zotërojnë kompani Tosk Energy dhe Bylis Energy të cilat financohen nga kompani ruse të futura në listën e zezë nga SHBA. Inceneratori i Tiranës financohet nga kompani ruse, pra futen para ruse,” u shpreh Këlliçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here