Mbi 300 ikona në ekspozim dhe pjesë e fondeve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë janë rivlerësuar mbi gjendjen e tyre të deritanishme. Përgjatë vitit që lamë pas janë restauruar 19 ikona që shfaqnin problematika të ndryshme, vepra të emrave të mirënjohur të ikonografisë shqiptare. MKAM bën me dije se ikonat dolën në dritë falë punës së bërë nga specialistët restauratorë. “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Laboratori i Restaurimit dhe specialistët e tij, përgjatë vitit 2023 restauruan dhe rikthyen në jetë 19 ikona me problematika dhe degradime të shumta, të ndodhura prej shekujsh dhe kushteve në të cilat ato janë ndodhur. Një punë e palodhur e specialistëve restauratorë të cilët me durim dhe përkushtim nxorën në dritë ikona prej shek. të 17- të deri në të 19-in dhe emra të mirënjohur të ikonografisë shqiptare, nga Kostandin Jeromonaku, Kostandin & Athanas Zografi apo Nilu Jeromonaku, etj”, thuhet nga muzeu. Sipas një programi të hartuar çdo vit, në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit të këtij muzeu restaurohen ikona nga autorë të mirënjohur, të cilët ia shtojnë vlerat artistike dhe historike këtij koleksioni muzeal. Po sipas këtij institucioni, 13 vepra iu nën shtruan trajtimit të mëtejshëm. “Mbi 300 ikona në ekspozim dhe pjesë e fondeve u rivlerësuan mbi gjendjen e tyre të deritashme, 13 ikona prej tyre iu nënshtruan konsolidimit dhe trajtimit të mëtejshëm”, thuhet nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, që ka ndarë në faqen e tij edhe disa foto të punës së bërë nga specialistët me ikonat.
Muzeu në Korçë
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë u përurua më 24 prill të vitit 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Në këtë muze herë pas here hapen ekspozita të ndryshme, që ndiqen me interesin e publikut vendas, por dhe vizitorët e huaj. Muzeu Kombëtar ti Artit Mesjetar (MKAM) në Korçë i ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ka pritur përgjatë vitit që lamë pas më shumë se 30.000 vizitorë vendas dhe të huaj. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi, etj.



































