Ikën ministrja Margariti, artistët: Nuk bëri dot një ligj dinjitoz për artin dhe kulturën sipas kritereve dhe standardeve europiane

0
113

Elva Margariti nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimin e kabinetit qeveritar me krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me ministër Blendi Gonxhen. Margariti drejtori për disa vite Ministrinë e Kulturës, por u përball me jo pak kritika të artistëve, specialistëve të trashëgimisë kulturore, etj. Në fushën e artit dhe kulturës, sipas artistëve nuk u arrit dot të bëhej një ligj i ri sipas standardeve të BE-së. Tenori Rudi Sata një nga zërat kritik, në janar të vitit që lamë pas dorëzoi një letër në Ministri të Kulturës me problematikat në infrastrukturën ligjore. Sipas tij problemet nuk gjetën zgjidhje. “Margariti nuk bëri asgjë. Kur them asgjë kam parasysh që Margariti nuk ishte në gjendje që të sillte nëpërmjet ndryshimeve ligjore “sistemin”. Ky sistem ishte garanti për mënyrën se si duhet të drejtohej një institucion.

Nuk ngriti dot një mekanizëm ligjor, i cili do garantonte konkurrencën e ndershme dhe shanse të barabarta. Nuk solli dot një ligj dinjitoz për artin dhe kulturën sipas kritereve dhe standardeve europiane”, thotë tenori Sata. Sipas tenorit Rudi Sata gjatë viteve që Margariti drejtoi Ministrinë e Kulturës nuk pati ndonjë ndryshim sa i takon dhe ligjit për sponsorizimet, por problemet kanë vijuar dhe tek ndarja e projekteve. Sata shprehet se u kthye në një ministri qokash. “Ministri qokash për partinë dhe tarafin, dhe burokraci gjatë drejtimit të këtij institucioni drejtuar nga Margariti. Ministrja Margariti nuk solli dot një paketë ligjore, e cila do të garantonte bashkëqeverisje dhe ndarje pushteti me komunitetin artistik.

Nuk arriti dot që të sjelli një kulturë të re në lidhje me konceptimin se si drejtohet një institucion. Nuk soli kaq vite një projektligj për sponsorizimet”, shprehet Sata në reagimin e tij. Ligji i ri për artin, shpërblimi për figurën artistike, statusi i artistit janë disa prej kërkesave të artistëve, që sipas tyre asgjë nuk u bë. Artistë të ndryshëm jo vetëm në institucionet kombëtare, por dhe në rrethe thonë se përmirësimet ligjore duhet të ishin prioritare. Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj thotë se duhej menduar edhe për teatrot në rrethe. “Nuk u unifikuan teatrot vendor. Nuk kemi ende status artisti. Status i artistit do të unifikonte standartin e artistëve dhe do të ngrinte nivelin artistik në rang kombëtar”, thotë aktorja.

 Drejtimi me debate në Ministrinë e Kulturës

Elva Margariti largohet nga qeveria, por ajo shërbeu si ministre e Kulturës që prej janarit të vitit 2019. Margariti vinte nga arkitektura, por gjatë drejtimit të saj në MK nuk la shenja pozitive në aspektin menaxherial. Përgjatë këtyre viteve në krye të Ministrisë së Kulturës ka pasur vazhdimisht polemika për disa vendimmarrje, jo të mirëpritura nga komuniteti artistik në vend. Ministrja Elva Margariti është përballur me reagimet e komunitetit artistik dhe për shembjen e Teatrit Kombëtar, çështjen e Butrintit, etj. Më herët asaj i ishte besuar detyra e këshilltares për territorin dhe të Koordinatores Kombëtare për Programin e Integruar për Zhvillimin Rural (Programi 100 Fshatrat) pranë kryeministrit të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here