Skënder Jaçe: “Lulëkuqet mbi mure” një nga realizimet e shkëlqyera të regjisorit Dhimitër Anagnosti

0
85

Filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji nga Dhimitër Anagnosti do të shfaqet i restauruar 47 vite pas realizmit të tij. “Lulëkuqet mbi mure” vjen në format 4K, restauruar në studion Dabimus srl, një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, me mbështetjen financiare të “Sezoni i Filmave Klasikë” nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes Creative Europe. Kineast dhe producent Skënder Jaçe thotë se filmi i restauruar pritet të përcjellë emocione të forta me shfaqjen e tij në kinema. “Pa dyshim filmi “Lulëkuqet mbi mure” mbetet një nga realizimet e shkëlqyera të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Jam i sigurt që edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga projeksioni i tij i parë, në formatin e ri digjital pra të kopjes së restauruar, ai do përcjelli emocione të forta. Kasti i shkëlqyer në këtë film, shumë prej të cilëve janë fikur, do ta shtojë akoma më shumë dashurinë dhe respektin ndaj kinemasë shqiptare”, shprehet kineasti Jaçe për këtë film që mban emrin e regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti. Regjisori Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë, filma dokumentarë dhe është autor skenarësh.  Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një prodhim i vitit 1976 me regjisor Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Kineasti Jaçe shprehet se ai do të mbetet në breza një regjisor me vizion të qartë mbi kinemanë. “Anagnosti është dhe do të mbetet në breza një regjisor me vizion të qartë mbi kinemanë, duke i zbërthyer karakteret dhe personazhet në një filozofi të kombit të vetë”, thotë Jaçe.

Restaurimi i filmave

Premiera e filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” vjen në vijim dhe të tjerë prodhimeve që janë shfaqur më parë nga Arkivi i Filmit. Sipas producentit Jaçe po bëhet një punë  e mirë për të restauruar ata filma që janë me probleme, gjë e cila duhet të vijojë. “Restaurimi i filmit shqiptar një domosdoshmëri e kohës, për ta mbajtur atë prezent edhe në tregun ndërkombëtar si një urë lidhëse midis kulturave të kombeve. Arkivi Qendror Shtetëror i filmit po bën përpjekje të lavdërueshme, të cilat duhen përkrahur edhe më tej”, thotë Jaçe. Sipas AQSHF premiera e shumëpritur e filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” mbahet në datë 6 dhjetor ora 17:00 në kinema Millennium, Tiranë. “Me praninë e regjisorit Dhimitër Anagnosti si dhe të aktorëve të filmit: Timo Flloko, Strazimir Zaimi, Krenar Arifi, Artur Hoxholli, Roland Ohri, Agron Domi”, thuhet nga AQSHF. Ngjarja në filmin “Lulëkuqet mbi mure” zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzika e filmit është nga Kujtim Laro. Sipas një materiali nga AQSHF, më 9 janar 1977 u mbajt në Tiranë premiera e filmit “Lulëkuqet mbi mure”, ndërsa ka publikuar në faqen e tij dhe foto unike të premierës nga fototeka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here