Restaurohen tre ikonat e autorit Dicho Zografi, që kanë qenë pjesë e ikonostasit dhe interierit në kishën e Shën Kollit

0
60

Tre ikona pjesë e ikonostasit dhe interierit në kishën e Shën Kollit në Elbasan janë restauruar. Kjo bëhet me dije nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), që shprehet në faqen e tij se përfundoi restaurimi i tre ikonave me autor Dicho Zografin, “Shën Athanasi”-1855, “Shën Harallambi”-1855 dhe “Shën Nikolla”-1859. “Tre ikonat kanë qenë pjesë e ikonostasit dhe interierit në kishën e Shën Kollit në Elbasan (shek. XVII-XVIII) dhe pas prishjes së saj në vitin 1969 u inventarizuan e transferuan në fondin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ndërsa më pas në vitin 1999 në fondin e Muzeut Historik Kombëtar”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që ka ndarë dhe foto të ikonave në faqen e tij në rrjete sociale. Dicho Zografi ishte piktor ikonograf mjaft i njohur në rrafshin ballkanik, përfaqsues i shkollës artistike të Dibrës gjatë shekullit XIX, i cili ka realizuar me atelienë e tij piktura murale në një sërë kishash dhe rreth 2000 ikona të shpërndara në këtë hapësirë. Autori shquhet për trajtimin e figurave me vizatime reale dhe portrete me shumë plastikë, pikturimit në miniaturë, dekoracionit të pasur floreal, realizimit të incizioneve dhe zbukurimit të aureolave e veshjeve të shenjtorëve me punzonatura (goditje me bulino). Këto tipare të artit ikonografik të kësaj periudhe, me vlera të larta artistike dhe historike, dëshmohen qartë edhe në tre ikonat e restauruara. Herë pas here Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore publikon materiale mbi restaurimet e objekteve të ndryshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here