Vepra “Mbreti Lir” do të vijë në Metropol, historia rrëfen përplasjen tragjike të mbretit të plakur Lir me pasojat e vendimeve të tij, të cilat çojnë në një sërë ngjarjesh

0
119

“Mbreti Lir” vepër e Shekspirit do të vijë në skenën e teatrit Metropol. Me regji nga Jonida Beqo teatri Metropol rikthen në skenë këtë nëntor për publikun një nga tragjeditë më të mëdha të Shekspirit. Teatri Metropol shprehet se pas një suksesi vitin e kaluar, vepra e pavdekshme e William Shakespeare, “Mbreti Lir”, rikthehet si përgjigje e drejtpërdrejtë e kërkesave të publikut. “Gjatë gjithë vitit, pyetja që mbizotëroi në çdo bisedë dhe në çdo takim me ju ishte: “A do të rikthehet ‘Mbreti Lir’?”. E sot, me kënaqësi të veçantë dhe një ndjenjë triumfi, teatri Metropol njofton se po, e kemi sjellë atë mbrapsht për ju, në përgjigje të kësaj kërkese të pandalshme”, thuhet nga institucioni për këtë vepër teatrore, që do të jetë në nëntor në skenë, por do të vijojë dhe gjatë muajit dhjetor. “Mbreti Lir” është një sagë e fuqishme që zbulon dinamikat e pushtetit, të çmendurisë dhe të dashurisë. Historia rrëfen përplasjen tragjike të mbretit të plakur Lir me pasojat e vendimeve të tij, të cilat çojnë në një sërë ngjarjesh që shpërthejnë në konflikt, mashtrim dhe humbje. Duke u përfshirë në një botë, ku vlerat morale shndërrohen dhe tradhtia mbizotëron, personazhet përfundojnë në një udhëtim të dhimbshëm të vetëzbulimit dhe ndëshkimit.

 Aktorët në role

Në rikthimin e kësaj shfaqjeje në teatrin Metropol, aktorët do të sjellin një interpretim edhe më të thelluar të këtyre personazheve kompleksë, duke zhytur publikun në një botë ku çdo replikë dhe çdo gjest ka një rëndësi të veçantë. Skenografia dhe kostumografia pasqyrojnë thellësitë e ndryshme të dramës, duke e bërë “Mbreti Lir” jo vetëm një shfaqje për t’u parë, por një përvojë për t’u jetuar. Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin. “Mbreti Lir” është një tragjedi me pesë akte nga Shekspir, e interpretuar në vitet 1605 – 1606 dhe e botuar në vitin 1608. Një nga tragjeditë më të mira, pjesa përshkohet nga pesimizmi dhe nihilizmi, gjë që e bën atë një vepër të preferuar të shekullit XX. Shfaqja vjen në skenë me pjesëmarrjen e Viktor Zhustit. Interpretojnë: Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Klea Konomi, Klesta Shero, Kriks Dumo, Luisa Dinellari, Lulzim Zeqja, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Sokol Angjeli, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari, Xhoni Spahi. As.regjisore Joana Omeraj, Ana Guçe; formulues muzikor Robert Bisha; kostumografia Jonida Beqo; as. kostumograf Frenci Gjerasi; skenograf Elvis Themeli. “Mbreti Lir” do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 23, 24, 25, 26, 30 nëntor, për të vijuar dhe në 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10, 14, 15, 16, 17 dhjetor për publikun në teatrin Metropol.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here