Uragani i SPAK nuk po kursen as “peshqit e mëdhenj” në politikë, as biznesmenë të lidhur ngushtë me krimi. Drejtësia e re po thellon hetimet për çështje përvëluese ku janë të implikuar zyrtarë shumë të lartë. Gjithashtu prokurorët specialë po shkundin pluhurin dhe në dosjet e vjetra. Zyrat e SPAK po kthehen në një tmerr për çdo person që futet në Prokurorinë e Posaçme. Madje ka nga ata që përpiqen të futen fshehurazi pa rënë në syrin e medias, si edhe të tjerë që kur i pyesin “kyçin” gojën. Një nga këto personazhe është dhe Ilir Kulla, ish-këshilltari i Ilir Metës, i cili është paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme. Teksa ka qenë duke u futur në ambientet e SPAK, Kulla ka thënë për gazetarët që nuk e di se për çfarë e kanë thirrur. Por edhe teksa doli nga SPAK pas 1 ore e 30 minuta, Kulla preferoi ta mbajë sekret çështjen për të cilën është pyetur. Në një prononcim për media Kulla u shpreh se në SPAK ka dhënë dëshmi për disa rrethana, por nuk zbuloi më tepër detaje për shkak të sekretit hetimor. “Dhashë dëshmi për disa rrethana. Nuk mund të bëj publike asgjë për shkak të sekretit hetimor”, ka thënë ai.
Çështjet ku shfaqet emri i Ilir Kullës
Edhe pse ende nuk dihet se për çfarë është paraqitur në SPAK, Ilir Kulla përmendet në dosje të nxehta në Itali. Në qershor të 2020 prokuroria italiane njoftoi se nga hetimet për ‘Fake Neës’-in nga një faqe italiane “Pianeta Italia Neës” që trazoi politikën shqiptare me lajmin se 1400 konteinerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur, ka zbuluar se pas skandalit qëndron ish këshilltari i presidentit Meta, Ilir Kulla. “Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit’ të Ilir Metës”, kështu deklaroi atëherë anti-mafia italiane. Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia Neës”, që prodhoi lajmin e rremë. Anti-mafia italiane deklaroi më herët se “Ilir Kulla porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare” në mediet e vendit fqinj. Fushata nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare. Këshilltari i Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja “Pianeta Italia Neës” botoi lajmin e rremë. Ai mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithçka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare. Nuk dihet nëse marrja e tij në pyetje ka të bëjë lidhur me këtë çështje.
Përgjimet ku përmendet Ilir Kulla dhe Ilir Meta
Gjithashtu një tjetër dosje është ajo e përgjimeve të publikuara në vitin 2021 për hetimet e antimafias italiane për grupin mafioz ‘Ndrangheta’. Në dosjen e plotë, ‘Princi’ i Ndranghetas, Antonio Gallo, në një bisedë të tetorit 2018 me ish-zyrtarin e Guardia Di Finanzia-s Ercole D’Alessandro, përmendet me emër Ilir Kulla, këshilltari i Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Madje krerët e grupit mafioz flasin edhe për Metën, i cili në atë periudhë kur plasi skandali mbante postin e presidentit. Në bisedën me Gallo, D’Alessandro thotë se i ka telefonuar Ilir Kulla. D’ALESSANDRO Ercole: Tani që jemi atje, më të vërtetë, më ka telefonuar Kulla… është presidenti. Ky, Ilir Kulla, Këshilltar i Presidentit te Shqipërisë… Mund të informohesh… Në Itali me Presidentin, mbërrijnë në Romë. Në këto momente po i marr një takim me ke?” Me Cafier De Rahon. Do të takohet me Cafier De Raho. E kupton? Por sinqerisht, të shkosh dhe të punosh për Tomasso Brutton… jo Në përgjimet e antimafias ky episod nuk është i vetmi ku u përmend Ilir Meta. Në përgjimet e publikuara në atë kohë të dosjes hetimore të prokurorisë italiane pas megaoperacionit nga antimafia italiane ku u hetuan 47 persona si të përfshirë në grupin mafioz italian “Ndrangheta”, në një sekuencë të përgjimeve, në bisedën mes Antonio Gallo që njihej edhe me nofkën “Princi” dhe Ercolle D’Alessandro, përmendej edhe ‘Presidenti i Shqiptarëve’. “Ju vetëm duhet të dini se çfarë po bëj, sepse nëse një ditë ju prezantoj me Presidentin e Republikës së Shqiptarëve, do ta prezantoj me ju, por nuk do t’ia prezantoj Tommaso Bruttos apo Saverio Bruttos…”, i thoshte Ercole D’Aleksandro, Antonio Gallo-s.










































