“Muzikë nga vitet e stuhishme” në Teatrin e Operës dhe Baletit, një koncert me veprat e artistëve Dhora Leka, Simon Gjoni dhe Nikolla Zoraqi

0
71

“Muzikë nga vitet e stuhishme” do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kalendari artistik i muajit nëntor do të nisë me muzikën më të mirë shqiptare të kompozuar ndër vite. Rikthehen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kompozimet e artistëve shqiptarë ikonë, si Dhora Leka, Simon Gjoni dhe Nikolla Zoraqi, me koncertin “Muzikë nga vitet e stuhishme”, në koncertin që do të jetë mbrëmjen e së enjtes. “Që nga himnizuesja  “E lirë u ngrit toka jonë”, tek “Uvertura me temat heroike”, nga “Cuca e Maleve” e deri te opera-baleti autobiografik “Një jetë në stuhi” e Dhora Lekës, ilustruar me projektime fragmentesh dhe foto ilustruese, vlerësime nga personalitet dhe artistë që kanë interpretuar muzikën e tyre nder vite”, thuhet nga TKOB për këtë koncert që do të zhvillohet këtë mbrëmje për publikun. Koncerti memorial, me përzgjedhje veprash artistike nga më të spikaturat e muzikës shqiptare, do të sillet nga orkestra simfonike, solistët dhe kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën dirigjimin e Edmond Dokos dhe dirigjentin e korit, Dritan Lumshit. Soprano Eva Golemi, Dorina Selimaj, Renisa Laçka, tenor Denis Skuraj dhe bass Bledar Domi. E veçanta e këtij koncerti do të jetë edhe pjesëmarrja e Korit të Zërave të Bardhë, përgatitur nga Sonila Baboçi.

Krijimtaria ndër vite

Kompozitorja Dhora Leka (Korçë, 23 shkurt 1923 – Tiranë, 27 dhjetor 2006) është autore në vitet ‘40 e këngëve të njohura partizane, “Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë”, “Rini, rini”, “Që nga gjokset djaloshare”, dhe më pas e operës “Një jetë me stuhi” sipas një romani të Ali Abdihoxhës. Pas studimeve në Konservatorin “Pjotër Iliç Çajkovski” në Moskë të Bashkimit Sovjetik (1948-‘53) u emërua pedagoge në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Simon Gjoni kompozitor, u lind në qytetin e Shkodrës më 28 tetor 1925. Vdiq më 31 tetor 1991. Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, “Lule bore”, “Sy larushes”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika”, etj. Simon Gjoni studimet e larta i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës. Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit Shqiptar. Në vitin 1958 u emërua dirigjent në TOB. Nikolla Zoraqi (Tiranë, 24 janar 1929 – 1991) ka qenë kompozitor shqiptar, i cili gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Kompozitor i njohur, autor i mjaft pjesëve dramatike për solist, kor e orkestër, shumë baladave, operetave për fëmijë, bashkë me 6 uvertura, 6 koncerte për violinë dhe orkestër, 4 balete, 30 opera etj. Ashtu si ndodhi rëndom në periudhën kur ai krijoi, një vëmendje të veçantë Zoraqi i kushtoi krijimit të një muzike me karakter të theksuar kombëtar, në krijimin e karaktereve shqiptare e të figurave të rëndësishme kombëtare. Këtu mund të përmendim vepra të tilla si “Komisari”, “Shota e Azem Galica”, “Cuca e maleve”, “Gjorg Golemi”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here