Google search engine
Home Kulture Ritmet e valleve dhe këngët popullore në koncertin “N’Konak” nga ansambli...

Ritmet e valleve dhe këngët popullore në koncertin “N’Konak” nga ansambli “Tirana” në festivalin “Metro Fest”

0
109

Koncerti “N’Konak” vjen me ritmet e valleve dhe këngët popullore në skenën e teatrit Metropol.  Ansambli folklorik “Tirana” e sjell këtë koncert këtë mbrëmje në kuadër të festivalit “Metro Fest” në teatrin Metropol, që këtë vit po zhvillon edicionin e shtatë. “Metro Fest 7” është një ngjarje kulturore, që feston artin në të gjitha format e tij çdo sezon vjeshte, ku pjesë është dhe ky koncert. Në materialin e teatrit rreth koncertit “N’Konak” thuhet se kjo performancë këtë mbrëmje nuk është vetëm një shfaqje, por dhe një përkushtim ndaj trashëgimisë sonë. “Festa jonë do të ndriçojë me ritmet e valleve dhe melodinë e këngëve nga Jugu, Zona Qendrore dhe Veriu.

Kostumet që tregojnë shtyllat e traditës dhe zemrën e popullit tonë, janë dëshmi e rrënjëve tona dhe thesarit të kulturës shqiptare. Me harmoninë e zërave polifonikë, pasionin e këngëtarëve dhe mjeshtërinë e orkestrës, ansambli “Tirana” garanton një natë magjike me nuancat e muzikës kombëtare. Kjo performancë nuk është thjesht një shfaqje, por një përkushtim ndaj trashëgimisë sonë dhe vendit të saj të veçantë në zemrat tona”, thuhet në material. Vepra teatrore shqiptare janë pjesë e këtij viti në edicionin e shtatë të “Metro Fest”, që zhvillohet në teatrin Metropol, ku këtë vit në program është dhe ansambli “Tirana”. “Metro Fest” është një festival që u organizua për herë të parë në teatrin e Metropolit, në sezonin e vjeshtë-dimrit 2017, me temë drama shqipe.

  Artistët e ansamblit

Ansambli folklorik “Tirana” është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale. Herë pas herë artistët e ansamblit angazhohen dhe në shfaqjet që vijnë në skenë në teatrin “Metropol”. Ansambli folklorik “Tirana” është themeluar në vitin 1978.  Edhe pse fokusi i artistëve është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i ansamblit folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë.

Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli “Tirana” është fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të folklorit. Gjithashtu merr pjesë në aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore “Tirana”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here