Google search engine
Home Kulture Sokol Marsi: Koncerti “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi”, që të shfaqim...

Sokol Marsi: Koncerti “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi”, që të shfaqim më tepër anën krijuese e të sjellim pranë publikut veprat më të bukura të mjeshtrit të valles

0
99

Në nderim të mjeshtrit të valles popullore Besim Zekthi, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore  zhvillon koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi- Nder i Kombit”. Ky koncert do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Zekthi, bazuar në repertorin krijues të tij, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, duke përfshirë dhe momente nga jeta dhe aktiviteti i tij artistik apo vlerësime nga personalitete të ndryshme. Koncerti që do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e datës 31 tetor vjen me interpretimin e orkestrës, grupit të valleve dhe grupit vokal të Ansamblit Popullor, si dhe me solistë Iris Bega, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Xhemnica, e me pjesëmarrjen e grupit “Pleqtë e Krujës”. Sokol Marsi “Mjeshtër i Madh” drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore thotë se ky është koncerti i parë që bëhet pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit Besim Zekthi dhe vjen si pjesë e projektit “Gjerdanit i Artë” në nderim të figurave, që kanë themeluar dhe i kanë dhënë jetën Ansamblit Popullor si Fitnete Rexha, Panajot Kanaçi, Tish Daija, etj. “Ky koncert i dedikohet figurës së artistit dhe mjeshtrit të madh të valles e koreografisë shqiptare zotit Besim Zekthi. Synimi ynë në këtë projekt është që të shfaqim më tepër anën krijuese e të rizgjojmë dhe sjellim pranë publikut veprat më të bukura nga krijimtaria e mjeshtrit Zekthi, duke pasur parasysh se shtrirja e krijimtarisë së tij është shumë e larmishme dhe e gjerë, duke filluar nga “Vallja Kosovare” e deri tek ajo çame, si edhe te kujtojmë e nderojmë figurën e tij artistike”, shprehet Sokol Marsi. Drejtori artistik tregon se koncerti do të trajtohet në formën e një nate “in memorium”, ku përveç interpretimeve të valleve të krijuara dhe egzekutuara nga mjeshtri, do të ketë edhe disa numra artistike nga solistët dhe grupi vokal i AP. Kjo sipas tij, për ti dhënë shfaqjes një dimension edhe më të madh se një koncert. “Parashikohet të jenë të ftuar edhe grupi i mirënjohur “Pleqtë e Krujës” me një potpuri këngësh Krutane në nder të origjinës Krutane të mjeshtrit Besim Zekthi”, shprehet Sokol Marsi drejtor artistik.

Besim Zekthi në jetën artistike

Besim Zekthi për 5 dekada mbeti unik me forcën, elegancën dhe peshën e kërcimit të tij në skenë. Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore la vulën e tij të pashlyer në skenën dhe arkivin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i Madh”- Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist. Ai realizoi qindra figura artistike, të cilat janë të fiksuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij. Por gjatë karrierës së tij artistike Besim Zekthi ka shkëlqyer veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve”,  “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe “Luftëtarët e Lirisë”. Zekthi shkëlqeu si solist i valles në skenën shqiptare dhe në festivale ndërkombëtare. Ai ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha “Gjerdanin e Artë” vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.  Ai ishte krijuesi dhe valltari që nuk u shkëput kurrë nga elementët e popullit. Besim Zekthi hyri në historinë e koreografisë shqiptare si “Shqiponja fluturuese”.  Besim Zekthi u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare në 28 qershor 2020.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here